Pence shtyn vizitën e tij në Lindjen e Mesme

schedule19:56 - 14 Dhjetor, 2017

schedule 19:56 - 14 Dhjetor, 2017

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Majk Pence ka shtyrë vizitën e tij në Izrael për shkak të tensioneve. Ndërkohë, Gardiani i çelësave të varrit të shenjtë në Jeruzalem ka bërë me dije se nuk do të presë zyrtarin amerikan. Ndërsa në Çisjordani izraelitët kanë dhunuar një fshat palestinez.

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Majk Pence, ka shtyrë për pak ditë vizitën e tij në Izrael, që parashikohej të zhvillohej nga 17 deri në 19 dhjetor. Arsyeja e këtij vendimi lidhet me rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme pas zyrtarizimit të njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga presidenti Donald Trump. Lajmi është konfirmuar nga gazeta “Haaretz” që citon burime afër me “Knesset”, parlamenti hebre, në të cilin Pence do të mbante një fjalim të hënën që vjen.

Gardiani i çelësave të varrit të shenjtë në Jeruzalem, Adib Joudeh al-Husseini, nuk do të takohet me zëvendëspresidentin amerikan Majk Pence, i cili do të jetë në Lindjen e Mesme për vizitë zyrtare javën e ardhshme. “Nuk do të pres Pence, si shenjë e refuzimit tim të plotë ndaj vendimit të presientit Trump për Jeruzalemin”, u shpreh ai. Husseini i bëri thirrje Patriarkut ortodoks Grek, Teofili i Tretë dhe Kujdestarit të Tokës së Shenjtë, Françesko Paton që të bojkotojnë vizitën e numrit dy të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, mes Izraelit dhe Palestinës tensionet sa vijnë she shtohen. Një grup prej 40 kolonish izraelite, të maskuar, kanë hyrë në një fshat palestinez në Çisjordani dhe kanë lëshuar gurë kundër shtëpive. Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i ushtrisë izraelite, i cili shton se ushtria e Tel Avivit ka larguar kolonitë nga vendngjarja. Gjithashtu ka bërë me dije se do të pengojë zhvillime të njëjta.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku i qytetit izraelito-arab, Nazareth, Ali Salam ka vendosur të anullojë festimet e programuar për festat e fundvitit, përveç vendosjes së pemës së Krishtlindjeve që është një traditë e përvitshme. Salam, i icli është i besimit Islam, e ka arsyetuar vendimin duke thënë se proteston kundër njoftimit të Trump për Jeruzalemin./abcnews.al