Laçi mposhti skuadrën e Luftëtarit në fundjavë, ndërkohë që te Luftëtari protestuan për penalltinë e dhënë në favor të kurbinasve. Presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, madje akuzoi arbitrin Kridens Meta si punëtor të Laçit në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.
Në emisionin “Pressing”, në ABC News, u diskutua ai rast i dyshimtë dhe specialisti i gjykimit, Albano Janku, tha: “Të dyja duart e mbrojtësit të Luftëtarit janë mbi trupin e Nwabueze dhe mundohet me çdo mënyrë ta mbajë, që të mos vihet në zotërim të topit. Kemi të bëjmë me faull për mendimin tim”.
Edhe trajneri i Laçit, Armando Cungu, mendon se është penallti dhe reklamon edhe një rast tjetër, për një ndërhyrje të portierit ndaj mesfushorit Regi Lushkja. Në lidhje me rastin në fjalë flasin edhe Sulejman Starova e Artan Hoxha.
Tekniku kryeqytetas tha: “Me çfarë të drejte vendos dy duart mbi kundërshtarin? Ku e ke të drejtën ti? Kjo është penallti”. Më pas gazetari investigativ, Hoxha, shtoi: “Te Torassa me një dorë ishte penallti, këtu me dy duar nuk qenka!”.
Gjatë bisedës në emision, pati edhe një ndërhyrje të moderatorit Gerti Çarçani, i cili tregon se presidenti I Luftëtarit, Bekim Halilaj i ka dërguar një mesazh. “Arbitri më ka shkruar mesazh dhe e ka pranuar gabimin për këtë 11-metërsh”, ky është mesazhi i Halilajt, u shpreh Çarçani. /abcnews.al