Pemët në Lushnje po thahen

schedule15:11 - 14 Gusht, 2018

schedule 15:11 - 14 Gusht, 2018

Temperaturat e larta të kësaj vere po sjellin tharjen e pemëve në Lushnje. Bashkia kërkon ndihmën e qytetarëve për vaditjen e tyre, pasi ndërmarrja e gjelbërimit, nuk e përballon dot e vetme këtë proces.

Pemët në Lushnje po thahen nga thatësira dhe për këtë arsye Bashkia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve. Ajo kërkon të vadisin pemët në këtë kohë të nxehtë me qëllim që ato të shpëtojnë, sepse vetë ndërrmarrja e gjelbërimit nuk po e përballon.

Janë ditë të nxehta dhe në Lushnje termometri shënon 39 gradë Celsius. Një muaj që nuk bie shi.

Në këtë situatë, Bashkia e Lushnjes u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve, për tu bërë pjesë e shpëtimit të pemëve dhe hapësirave të gjelbëra të saj nga vala e të nxehtit.

Duhen vaditur sepse ajo vetë e ka të pamundur të mbulojë të gjithë hapësirën.

Ergest Krakulli, drejtor i Shërbimeve në Bashki: “Ne jemi të detyruar të kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve lushnjarë, ne kemi 70,000 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër. Jemi një nga qytetet që kemi goxha sipërfaqe të gjelbër pa bashkëpunimin e çdokujt prej qytetarëve lushnjarë është e pamundur që të arrihet që ky gjelbërim të mbahet në nivelet e duhura.”

Në fakt Spartak Bami, vaditjen e pemeve në rrugë e ka bërë edhe përpara se bashkia të kërkonte ndihmën e qytetarëve.
Ai çdo ditë kujdeset për të paktën 20 drurë në qendër të qytetit pasi aty ndodhet edhe dyqani i tij.
Edhe pse veprimi i tij nuk shihet pozitivisht nga të tjerët ai i shpërfill duke vazhduar punën, madje ndërhyn edhe kur fëmijet thyejnë degët e pemëve në lulishte.

Spartak Bami, qytetar i Lushnjes: “Disa më thonë le nam, ça po bën?! Duhet ta bëjnë të gjithë se nuk është turp. Turp është kur e prish dhe kur e thyen pemën, madje bëj fjalë dhe me kalamajtë kur vijnë të lozin me top, se s’kanë dhe ku lozin të shkretët. Thyjnë degët por unë nuk i le.”

Bashkëpunimi midis ndërmarrjes së gjelberimit, qytetarëve dhe bizneseve po vazhdon prej disa ditësh, ç’ka shihet edhe si organizimimi më i mirë për të shpëtuar kurorën e gjelbër të qytetit.

Autobotet, përveç vaditjes së përditshme nëpërmjet zorrave të ujit, janë nxjerrë dhe po kryejnë punën në zona të ndryshme. Këto janë ditët më të vështira për ndërmarrjen e gjelbërimit, e cila edhe pse është organizuar me të gjitha mjetet e punës, pa ndihmën e qytetarëve nuk mund t’ja dalë.
Si e vetmja mundësi shpëtimi shihet ndërtimi i një impianti për vaditje. Të paktën në hapësirën e gjelbërt prej 14 mijë metra katrorë të lulishtes, në tetor të këtij viti do të ndërtohet impianti i cili do të ketë 24 orë ujë.

Mimoza Sula, drejtoresha e Gjelberimit në Lushnje: “Në tetor kemi një projekt që do të bëjmë vaditje automatike për 14.000 metra zonë të gjelbër që kemi për të mirëmbajtur. Do jetë projekt gjigand dhe do të mbulojë të gjithë zonën e gjelbërt me ujë 24 orë.”

Lushnja ka 70 mijë metër katror sipërfaqje të gjelbert, 25 mijë rrënje pemësh dekorative dhe 360 palma, të cilat duhen vaditur të paktën dy herë në javë, pa llogaritur bimësinë me lule që duan ujë çdo ditë në stinën e verës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!