“PS në terren me qytetarët”, Pëllumbi në ABC: Do të kemi shumë surpriza në 30 ditët e fushatës

schedule13:03 - 24 Mars, 2021

schedule 13:03 - 24 Mars, 2021

Partia Socialiste e ka një program për këto zgjedhje dhe do ta shpalosë me nisjen zyrtare të fushatës, pra nga dita e nesërme. Kështu është shprehur deputeti i Partisë Socialiste, i teti në radhë nga lista e Tiranës Arben Pëllumbi, gjatë një bisede me Juli Xhokaxhi në ABC.

Duke marrë parasysh situatën e krijuar nga pandemia, Pëllumbi tha PS, e ka të nevojshme që të takojë sa më shumë njerëz për t’u komunikuar edhe programin.

Ndërsa, për mënyrën sesi u organizuan listat, deputeti i PS u shpreh: “Nuk është më një gjë e re, që ndryshimet që pati kodi zgjedhor, ndryshuan edhe strategjinë me të cilën ne menduam t’i afroheshim elektoratit. Askush nuk është i sigurt, duhet të punojnë për të maksimizuar  votën.”

Duke u kthyer tek fushata, Arben Pëllumbi u shpreh se lista e kundërshtarit është e fosilizuar.

“PS duke qenë një parti që mbështet njerëzit më në nevojë, ke nevojë që të takosh sa më shumë njerëz për të bërë të njohur programin tënd. Lista e kundërshtarit, e fosilizuar me njerëz që nuk dihet se nga…ne themi mendimin tonë pa fyer askënd.”

Duke iu referuar kryeministrit , Pëllumbi tha se Rama merret me punë dhe veprimtari konkrete dhe nëpër qytete bëhen takime për të shpjeguar programin. Gjithashtu, ai premtoi shumë supriza në 30 ditët e fushatës.

“Programi do të shpaloset me fillimin e fushatës. Do të dalë i njohur si një i tërë, me të cilin do të ballafaqohemi me votuesit. Shumë surpriza do të kemi në 30 ditët e fushatës. Nuk mund të kemi grumbullime të mëdha, mitingje, flamurë….Por do ta rikuperojmë duke folur me njerëzit në kushtet që na ka krijuar pandemia.”

Në kuadër të fushatës, duke folur për incidentin e Elbasanit, deputeti tha se militantët ishin mbledhur aty para se të vinte lideri i tyre demokrat dhe se nuk kishte përplasje agjendash.

“Kryeministri shkoi siç shkon në qytete të tjera. Vajti edhe atë ditë në Elbasan, siç ka shkuar prej vitesh. Ishin në orare të ndryshme. Militantët ishin mbledhur më herët se të mbërrinte lideri i tyre.”

Duke folur për 25 prillin, Pëllumbi tha se betejë të lehtë nuk ka në asnjë qark ndërsa shtoi se shpreson që me trendin në rënie të shifrave të të infektuarve mund të kemi një situatë më të qetë. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!