Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ditën e sotme ka ndjekur nga afër zonat e përmbytura në njësinë administrative Katund i Ri në Bashkinë e Durrësit
Peleshi bisedoi edhe me banorët për situatën e krijuar, ndërsa u takua edhe me efektivët e Forcave të Armatosura, të cilët kanë vijuar me evakuimin e disa familjeve dhe transportin e tyre.
“Le të themi e kemi kaluar pikun, situata sot është duke u përmirësuar, reshjet kanë mbaruar, uji po tërhiqet por ka ende familje nën ujë. Unë dua të falënderoj forcat tona të ushtrisë që kanë qenë në gatishmëri që ditën e parë, kanë evakuuar disa familje që janë strehuar në Konvaleshencë, një pjesë tjetër te familjarët e tyre, një pjesë që nuk kanë pranuar të dalin, por që nuk kanë qenë në rrezik sepse kur ka rrezik pranon apo nuk pranon familja evakuimi është i detyruar.
Do vazhdojmë të jemi këtu në gatishmëri ndonëse pritet që dy ditët në vazhdim pritet të ketë mot të mirë. Jemi të pajisur, kemi mjete kalueshmërie të lartë, kemi mjete të vogla lundruese, gjeneratorë dhe gjithçka tjetër që nevojitet, forca njerëzore, forcat e ushtrisë. Duhet thënë që kur ka raste të tilla duhet të nxjerrim dhe mësime.
Emergjenca kërkon një reagim multi-institucional dhe të gjithë shoqërisë. Ne marrim detyra tona, komuniteti duhet të marrë detyrat e veta, kemi pasur edhe debate me disa banorë, nuk mund t’i kërkojmë llogari bashkisë kur kanali shkarkues e bllokon për të bërë një copë rrugë,” u shpreh ai.
/abcnews.al/