Rreth 600 restorante në diasporë me pronarë shqiptarë apo që menaxhohen nga shqiptarët janë evidentuar nga përfaqësitë diplomatike për të qenë në dispozicion të eksportuesve dhe shoqatave të agrobiznesit në Shqipëri. Qëllimi i kësaj nismë në kuadër të Diplomacisë Ekonomike është shtimi dhe mundësia për rritje të potencialit të eksportit.
Prodhimi shqiptar ka nisur të promovohet edhe në diasporë. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi tha se bujqësia shqiptare ka bërë hapa përpara, veçanërisht në eksportet.
Niko Peleshik, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: “Në total 14 % më tepër janë rritur eksportet. Megjithatë eksportet mbeten ende sfida jo të lehta, të cilat kërkojnë një bashkëpunim forcash ndërministrore”.
Për këtë arsye, në dispozicion të prodhuesve shqiptarë, do të vendosin databazën e 600 restorantëve në diasporë për ta bërë më të lehtë aksesin e tyre në tregjet europiane.
“Jemi duke ndërtuar një rrjet të inkubatorëve, pra të punishteve të vogla, në zonat rurale për prodhimin me cilësi dhe me standarde të prodhimeve tipike, jemi duke miratuar, kemi hartuar draft ligjet për prodhimet tipike, edhe konform legjislacionit të BE-së”.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se hapi i dytë i këtij projekti do të jetë kanalizimi i të gjitha energjive në mënyrë që nga këto 600 restorante dhe biznese shqiptare të jetë mundësia që një pjesë të prodhimeve shqiptare të eksportohen në tregjet evropiane dhe të Amerikës së Veriut.
Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme: “Element tjetër i rëndësishëm që ka të bëjë me promovimin apo brendimin e produkteve shqiptare është i lidhur ngushtë dhe me sistemin e incentivave që ofron qoftë qeveria shqiptare, agjenci të ndryshme apo edhe vetë BE”.
Së shpejti ky projekt do të finalizohet me një aplikacion që do të quhet “Albanian Flavors”, ku do të prezantohen prodhimet shqiptare./abcnews.al