“Ky është nëse mund ta quajmë stacioni i parë i bërjes së ritualeve nga pelegrinët dhe besimtarët drejt një rruge që shkon diçka më shumë se tre kilometra në një malore të fortë në Kishën e Shna Ndout. Është stacioni i parë ku besimtarët kryejnë ritualet e tyre pasi ka një domethënie të veçantë.”
Lulzim Dedgjonaj, specialist në pallatin e kulturës në Laç shpjegoi për gazetarin Arlind Isa edhe domethënien e vendeve ku ndalen besimtarët teksa ecnin lart për në kishën e mrekullive.
“Sipas praktikës së besimtarëve, këtu ka pushuar Shna Ndou. Dhe ndjekin ritualin, e nisin nga fillimi, vijnë këtu dhe vendosin këmbën tek gjurma e shenjtit, më pas shpinën, të dy gjunjët dhe mbaron pjesa e ritualit. Këtu mund të ndalohet në disa vende gjatë rrugës në ngjitje drejt malit të shenjtë”, tha Lulzimi.
Ai tregoi edhe gojëdhënën që ka të bëjë me ndërtimin e kishës.
“Gojëdhëna thotë se Kisha e Shna Ndout do të ndërtohej në krahun matanë. Gjatë ditës, punonjësit conin trarët dhe i vendosnin atje, ku është një kryq. Natën trarët lëviznin dhe në mëngjes i gjenin sërish këtu”, shtoi Lulzimi.
Ndërsa vazhdojnë ecjen drejt kishës, Lulzimi shpjegon një tjetër vend ku ndalojnë besimtarët.
“Këtu zakonisht besimtarit vijnë dhe vendosin ballin. Para shumë kohësh ka qenë ikona e Shën Mërisë, e zojës së Këshillit të Mirë, ku tani besimtarët vijnë dhe bëjnë ritualin“, thotë ai.
Rruga për në kishë ka edhe një ndalesë, ku është vendi ku luten besimtarët.
“Kjo është shpella e Shën Vlashit. Ipeshkvi i kohës së atëhershme ka jetuar vetë këtu sipas letrave që ka kisha katolike. Më pas është vrarë nga jofetarët për të mohuar fenë katolike. Këtu është vendi ku besimtarët vendosin kokat dhe i luten zotit për mrekulli.”, u shpreh mes të tjerash Lulzimi.
/abcnews.al