Pekin, presidenti kinez nderon Putin me medaljen e miqësisë

schedule22:38 - 8 Qershor, 2018

schedule 22:38 - 8 Qershor, 2018

Presidenti kinez Xi Jinping ka dekoruar me medaljen e miqësisë homologun Vladimir Putin, një veprim ky i konsideruar një mesazh uniteti ndaj Shteteve të Bashkuara, që po luftojnë për të ruajtur supremacinë globale.

Presidenti kinez, Xi Jinping, e ka nderuar homologun rus, Vladimir Putin, me medaljen e miqësisë, duke e quajtur atë mikun e tij më të mirë dhe njëkohësisht duke vënë në dukje marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.

Putin ndodhet në Kinë për një samit të përbashkët sigurie që zhvillohet në Shangai, por bëri një ndalesë edhe në Pekin për t’u takuar me presidentin Xi. Në takimin e zhvilluar në Sheshin e Popullit, Xi vlerësoi maksimalisht miqësinë dypalëshe, pavarësisht kritikave të Perëndimit në adresë të shefit të Kremlinit.

“Nuk ka rëndësi se çfarë luhatjesh ka në rendin botëror, Kina dhe Rusia e kanë konsideruar gjithmonë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe një prioritet”, tha Xi.

Më pas kreu i shtetit kinez i vari atij në qafë medaljen e miqësisë, një zinxhir i gjatë me ngjyrë ari, një event ky që u transmetua “live” në televizionin shtetëror. “Putin është një mik i mirë dhe i vjetër i popullit kinez. Ai është lider i një vendi të madh dhe influent nëpër botë. Ai është gjithashtu miku im më i mirë dhe më i ngushtë”, u shpreh Xi.

Dy presidentët mbikëqyrën nga afër nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh, përfshirë atë për një fond investimi prej 1 miliard dollarësh. Vizita e kreut të Kremlinit në Kinë vjen në një kohë kur liderët e vendeve perëndimore janë mbledhur në Kanada. Miqësia e tij me presidentin kinez përbën një mesazh të pastër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!