PE si “Venecia” për Kodin Zgjedhor: 25 prilli, kyç për demokracinë, OK paktit me Greqinë

schedule16:44 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 16:44 - 3 Dhjetor, 2020

Parlamenti Europian ka hartuar një rezolutë për Shqipërinë me theks të veçantë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit të ardhshëm, pandeminë, por edhe marrëdhëniet me fqinjët, duke nënvizuar paktin me Greqinë për të zgjidhur cështjen e kufirit detar në gjykatën ndërkombëtare.  Në këtë kuadër, në këtë projektrezolutë, shpreh shqetësim kryesor për mungesën e dialogut politik në vend dhe zgjedhjet e 25 prillit shihen si kyçe. “Zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021 do të jenë kyçe për vendin në konsolidimin e demokracisë” thuhet në draftin e hartuar nga Isabel Santos, të cilin e ka siguruar gazetarja e “ABC”-së Erisa Zykaj.

Por cfarë thuhet për ndryshimet e Kodit Zgjedhor? Rezoluta, ashtu si dje Komisioni i Venecias (lexo ketu), kërkon që në zgjedhjet parlamentare të shkohet me Kodin e ri që u miratua në 30 korrik. “Parlamenti Europian nënvizon rëndësinë e zbatimit të reformës zgjedhore të kodifikuar në Korrik 2020, të cilat janë në përputhje me rekomandimet e OSBE-së. Të zbatohet mendimi i Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar në Tetor 2020”.

Gjithashtu, në rezolutë vlerësohen marrëdhëniet me fqinjët. “Vlerësojmë hapat konstruktivë drejt zgjidhjes së çështjeve bilaterale të pazgjidhura, përfshirë një pakt të përbashkët nga Greqia dhe Shqipëria për të zgjidhur një mosmarrëveshje mbi kufirin detar përmes drejtësisë ndërkombëtare”. Në rezolutë inkurajohet qeveria shqiptare të përcaktojë me përparësi masat që synojnë zbutjen e ndikimit socio-ekonomik nga pandemia COVID-19.

Në dokument vlerësohet përparimi i qëndrueshëm i bërë në zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse gjyqësore dhe procesi i Vettingut, por kërkohet ngritja e gjykatës Kushteteuse. Vihet re se ka një qasje më tê zbutur se shtetet anëtare pêr Gjykatên e Lartë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit “Parlamenti mirëpret faktin që Gjykata e Lartë ka rifituar aftësinë e saj për të funksionuar dhe se ajo ka qenë duke shqyrtuar më shumë se një mijë çështje, dhe e inkurajon atë të bëjë përparim të mëtejshëm në emërimin e gjyqtarëve shtesë. Shpreh kënaqësinë që Byroja Kombëtare e Hetimit është themeluar, që drejtori i saj po kryen detyrat e saj dhe që personeli hetimor aktualisht po rekrutohet”.

Lidhur me BKH dhe SPAK, projektrezoluta nënvizon nevojën për të ruajtur pavarësinë dhe efektivitetin e këtyre strukturave në luftën kundër pandëshkueshmêrise. Projektrezoluta vendos në pah rritjen e hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare që synojnë pasurinë e paligjshme dhe pastrimin e parave, duke çuar në ngrirjen dhe konfiskimin sistematik të pasurive kriminale dhe bën thirrje për intensifikimin e mëtejshëm të tyre. Por bëhet thirrje për masa të mëtejshme që synojnë zbatimin e shpejtë të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar, veçanërisht në uljen e madhësisë së ekonomisë informale.

Projektrezoluta bën thirrje gjithashtu që përpjekjet për të çmontuar rrjetet kriminale lokale dhe ndërkombëtare dhe për të eliminuar prodhimin dhe trafikimin e drogës, të intensifikohen më tej dhe të finalizohet. Në projektrezolutë flitet edhe për çêshtjen e mediave “Parlamenti  shënon me shqetësim mungesën e progresit në lirinë e shprehjes dhe pengesat për funksionimin e duhur të mediave të pavarura. 

Dënon dhunën, frikësimin, fushatat e shpifjeve dhe presionin indirekt politik dhe financiar të drejtuar kundër gazetarëve, të cilat mbytin seriozisht lirinë e medias, nxisin vetë-censurë dhe minojnë rëndë përpjekjet për të zbuluar krimin dhe korrupsionin. Shpreh shqetësim të madh për masat e propozuara në bazë të projektligjit për media dhe mirëpret angazhimin për të miratuar ndryshime vetëm nëse ato vlerësohen se janë plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias” thuhet në rezolutë./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!