“Boll me molotov, bëni politikë normale”. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder ka fshikulluar Sali Berishën, duke i bërë thirrje Partisë Demokratike t’i kthehet Kuvendit aty ku duhet të bëjë debat me argument politik. Andreas Schieder foli në fund të vizitës së tij në Tiranë, ku siç tha ai, situata është shumë më normale sesa kur e sheh në ekran. Schieder tha se Shqipëria ka bërë hapa madhore në negociatat, të cilat nëse mbyllen siç tha ai, në afatet e përcaktuara, e vendosin atë të parën në vendet kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Së pari personi që i dha emri këtij kokteji, kontributi i tij në histori nuk ka qenë vetëm pozitiv, demokracia me molotov nuk është e mirë. Javën e shkuar pamë fotografi në media për protestat që dukeshin dramatike. Pastaj kur vjen këtu dhe sheh një situatë më pak dramatike. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm dhe për perceptimin që prodhoni nga mediat në mendjen e qytetarëve evropianë.
E di që demokracia funksionon mirë, që ka debate deri në orën 4 të mëngjesit, dhe që ka hapësirë për opozitën dhe mazhorancën për të diskutuar, është një demokraci normale. Ndonjëherë e ke qejf dikë, ndonjëherë e urren. Por të mos e dramatizojmë më shumë seç duhet. Mendoj që është edhe më e rëndësishme që të gjejmë mesin e artë. Zgjedh funksionimin normal të një demokracie”, tha Schieder.


