PDIU “divorc” me Berishën, Idrizi: Shkoi me Dulen, s’ka vend për ne

schedule21:20 - 25 Janar, 2023

schedule 21:20 - 25 Janar, 2023

Nga Erneta Shevroja

“Janë vendosur disa kontakte me këtë forcë politike. Nuk kam ndonjë gjë konkrete për të thënë. Ne po negociojmë, po diskutojmë.”, thotë Berisha. Po diskutimi është vetëm në kokën e Berishës. Shpëtim Idrizi e ka marrë vendimin dhe ai nuk ka mbase pikë-takim me Partinë Demokratike.

“PDIU ka kohë që e ka marrë vendimin, që do të dalë e vetme në zgjedhje.“, thotë Idrizi. Ky konfirmim i Shpëtim Idrizit për Abc News, erdhi ditën që Sali Berisha nënshkroi marrëveshje me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, armikun e tij të përhershëm politikë.

“Marrëveshja e sotme e PD me PBDNJ është tregues që vendimi i PDIU është i duhur dhe pa kthim.”, tha Idrizi. Kryetari i PDIU-së e godet sot marrëveshjen me PD-PBDNJ por kjo armiqësi mes tyre nuk ndikoi që ata të ishin bashkë në koalicionin e Lulzim Bashës, në 2017, që atëherë u quajt “Fronti Opozitar”.

Ishin në një listë edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021. Megjithatë ndarja tashmë është fakt dhe pritet të shihet si do të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve lokale, që janë një test i rëndësishëm për opozitën, që do të tentojë pas 4 vitesh të rikthehet në pushtetin vendor. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet në numra elektoral është më e madhe se PBDNJ-së e Vangjel Dules.

Në zgjedhjet parlamentare të 2021 PDIU nxori 2 deputetët në Tiranë, përkatësisht Shpëtim Idrizin dhe Mesila Dodën, dhe 1 në Fier, Nusret Avdulla. PBDNJ-ja ndërkohë në parlament ka vetëm kreun e saj, Vangjel Dule, ndër deputetët më pak të votuar në zgjedhjet e 25 prillit./abcnews.al