PD: Shikoni videon kur njeriu i Berishës ngjitet me thikë për te zyra e Bashës

schedule18:09 - 10 Janar, 2022

schedule 18:09 - 10 Janar, 2022

Partia Demokratike ka publikuar një video me pamje nga protesta e zhvilluar dy ditë më parë në selinë blu përmes të cilës pretendon se një person me thikë në dorë ka tentuar që të ngjitet në zyrën e kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas PD, ish-kryeministri Sali Berisha ditën e protestës u braktis nga shumica e demokratëve.

Sali Berisha e humbi kur pa se ishte i rrethuar nga një grup i vogël njerëzish, pasi shumica dërrmuese e demokratëve e braktisën. Me dhunën e 8 janarit ai dëshmoi që është gati të bëjë gjithçka, qoftë dhe viktima, vetëm për hallin e tij. Dhe për këtë ai ka angazhuar një bandë prej disa dhjetëra kriminelësh. 8 janari ishte një ditë shumë e hidhur për demokratët”, ky ishte mesazhi i PD në rrjete sociale krahas videos së mësipërme.

Protesta e nisur paraditen e 8 janarit e thirrur nga Berisha, agravoi në dhunë. Në një njoftim për mediat, prokuroria bën me dije se deri tani ka firmosur 34 urdhër-arreste, dhe personat e arrestuarit akuzohen për  “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Në mesin e të shoqëruarve ka mbështetës të Bashës dhe të Berishës. Më tej organi i akuzës bën me dije se janë sekuestruar pamjet filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore, janë marrë në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ndonëse situata në godinë po i kthehet normalizimit, pasi ambienti është pastruar sot, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për zhvillimet politike, sepse të dyja palët si Berisha dhe Basha nuk kanë lëshuar pe nga qëndrimet e tyre, ndërsa vijojnë akuzat kundrejt njëri-tjetrit.  be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!