“PD-së mund t’ia pinë gjakun, por trupin e saj nuk e vdesin dot”/ Bejko: Frymëzojmë qytetarët me fushatën tonë

schedule17:20 - 20 Prill, 2023

schedule 17:20 - 20 Prill, 2023

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko shprehu bindjen se qytetarët do të frymëzohen nga fushata që ai dhe ekipi i tij do të zhvillojnë për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Gjatë një takimi me kandidatët për Këshillin Bashkiak Tiranë, Bejko deklaroi se Partia Demokratike ndodhet nën presion dhe i është hedhur baltë prej 1 viti e gjysmë.

Sipas Bejkos, Partia Demokratike do të synojë të maksimalizojë votën dhe shtoi se pjesa më e madhe e qytetarëve janë kundër Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.

“Jam i bindur që do të frymëzojmë me fushatën tonë, me aktivitetin tonë edhe qytetarët e tjerë të cilët janë skeptikë. Mos të harrojmë që jemi në një situatë të vështirë si Parti Demokratike, sepse mbi ne është hedhur goxha baltë gjatë kësaj periudhe, prej gati 1 viti e gjysmë, edhe sot vazhdon të ushtrohet ky lloj presioni ndaj atyre që përfaqësojnë Partinë Demokratike, si në nivel qendror, ashtu edhe në lagje. Demokratët e kanë ndarë mendjen e tyre. Dje, me pjesëmarrjen e lartë në çeljen e fushatës, dëshmuan më së miri se Partia Demokratike, edhe mund të gjunjëzohet, por nuk shembet. Gjakun asaj edhe mund t’ia pinë, por trupin e saj nuk mund ta vdesin, sepse janë pikërisht demokratët ata që e duan Partinë Demokratike, që e duan Shqipërinë, që e furnizojnë këtë parti me energjinë e tyre, me gjakun e tyre vazhdimisht.

Unë jam besimplotë se personaliteti juaj, kredibiliteti juaj, në çdo zonë, në çdo lagje, në çdo fshat, si në Tiranën urbane dhe Tiranën rurale, do na japë mundësinë që ta maksimizojmë votën e Partisë Demokratike dhe të synojmë, pse jo fitoren. Pse synojmë fitoren? Sipas të gjitha sondazheve, siç e keni vënë re, janë mbi 70% e qytetarëve shqiptarë që refuzojnë klasën e korrurptuar politike që përfaqësohet nga trekëndëshi Rama-Berisha-Meta. Në këto kushte, ne jemi të ndryshem nga ata, nuk jemi pengje të oligarkisë, nuk mbartim mbi supe as krim e as korrupsion. Nuk kemi rekorde të bashkëpunimit me krimin e organizuar”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!