Partia Demokratike ka akuzuar kryeminsitrin Edi Rama se për të pestin vit radhazi i mohon mësuesve të arsimit parauniversitar një të drejtë të fituar me ligj, atë të shpërblimit të fundvitit.
34 mijë mësues të arsimit parauniversitar në 5 fundvite të qeverisjes së Edi Ramës nuk kanë parë asnjë shpërblim, duke shënuar kështu sipas demokratëve një rekord të ri në keqtrajtimin e tyre por edhe në shkelje të kontratës së firmosur mes sindikatave dhe Ministrisë së Arsimit.
“Edhe këtë vit, qeveria që paguan 105 milionë euro për koncesionet e oligarkëve, nuk ka asnjë qindarkë për të shpërblyer mësuesit e Shqipërisë. Duke mos u dhënë shpërblimin e fundvitit 34 mijë mësuesve, qeveria shkel kontratën kolektive të firmosur mes Ministrisë Arsimit dhe Sindikatave. Në nenin 10 të kontratës thuhet se “punëdhënësi, që në këtë rast është qeveria, u njeh sindikatave të drejtën për shpërblimin vjetor të mësuesve në sistemin publik parauniversitar”, tha Boçi.
Mungesa e shpërblimit për mësuesit është reflektim i braktisjes së sistemit të arsimit nga qeveria, thekson Boçi, sipas të cilit prioritetet e kryeministrit Rama nuk janë as financimi i arsimit që në shqipëri është në nivelin më të ulët në Europë, dhe as rikthimi në shkollë i 134 mijë nxënësve dhe studentëve që kanë braktisur arsimin.
“Mësuesit e Shqipërisë dhe sistemi arsimor kanë vetëm një alternativë të besueshme, Partinë Demokratike.Ne jemi të qartë për vizionin tonë: Mbështetje financiare për arsimin, shpërblimin dhe rritjen e pagave për mësuesit, investim për infrastrukturë moderne, subvencionim për tarifat e studentëve, stazh të paguar për 10 mijë studentë çdo vit”, u shpreh deputeti i PD-së.
Partia Demokratike ka të gjithë vullnetin për ta nxjerrë sistemin arsimor nga kriza dhe për të shkuar me vendosmëri drejt zhvillimit, përfundon selia blu./abcnews.al