Për analistin Roland Lami këto zgjedhje të pjesshme të mbajtura në pesë bashki të vendit nuk patën rëndësinë e duhur nga vetë subjektet politike, por edhe nga kandidatët. Nga studioja e ABC News, Lami i konsideroi këto zgjedhje si atipike, për shkak se PD nuk zgjodhi që të nxjerrë kandidatët e vet në zgjedhje, por kandidatët e pavarur. Sipas tij PD e ka shumë të vështirë që të mobilizojë simpatizantët e vet, e më së paku elektoratin gri.
Lami shtoi se fushata e këtyre zgjedhjeve ishte shumë e vakët dhe nuk krijoi frymë tek votuesit.
“Dita e sotme është reflektimi i asaj se çfarë është folur gjatë gjithë kohës me ato zgjedhje që janë atipike. Nuk ka marrë rëndësinë e duhur nga subjektet politike, apo edhe nga vetë kandidatët. Janë atipike këto zgjedhje pasi PD nuk ka nxjerrë kandidatët e saj, por ka mbështetur kandidatë të pavarur. Është një zgjedhje taktike e PD-ve. Kjo ka krijuar pakënaqësi edhe ndaj votuesit, pasi nuk shfrytëzuar momentin për të treguar forcën e saj. Nuk ka pasur kurajo që të nxjerrë kandidatët. PD nuk është se i mungon formacioni, apo të dhënat nga terreni.
Ky subjekt politik e ka të qartë situatën në të cilën ndodhen, duke tentuar që të krijojnë një mjegullnajë në simpatizantët. Vetë procedura se si u zhvillua kjo fushatë e pjesshme nuk krijoi një frymë, vetë kandidatët janë të paqartë për këto zgjedhje.
Këto zgjedhje kanë një specifikë, duhet të presim deri në fazën finale për të kuptuar përqindjen e pjesëmarrësve. Jemi në kushtet që kemi një mesazh zhgënjyes. Unë besoj që opozita nuk arrin dot që të mobilizojë votuesit e saj së paku, dhe votuesit gri nuk arrin që t’i bind”, tha Roland Lami./abcnews.al

