PD në shtëpinë e Bukurie Ballës: Kam qenë pa bukë. Reagon bashkia: Merr bonusin e qirasë, së shpejti me shtëpi

schedule09:41 - 17 Shtator, 2020

schedule 09:41 - 17 Shtator, 2020

Kombinati ishte një nga zonat më të prekura në Tiranë nga tërmeti i 26 nëntorit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa vizitoi shtëpinë e Bukurie Ballës, e cila prej 9 muajsh jeton së bashku me bashkëshortin e saj nën çatinë e shtëpisë së dëmtuar që rrezikon përditë shëndetin e tyre.

Muaj e karantinës nuk kanë qenë aspak të lehtë për çiftin e moshuar, pasi sipas PD asnjë ndihmë nuk iu është dhënë nga pushteti vendor apo nga institucionet e pushtetit qendror.

PD thotë se askush nga komisionet e vlerësimit nuk ka ardhur për të vlerësuar gjendjen e shtëpisë së familjes Balla, duke e bërë jetën në shtëpi një ankth të përditshëm.

Bukurie Balla: Unë jam Bukurie Balla. Jam kombinatse, kam 20 vjet që jam martuar me plakun, edhe jetoj në një ditë më të vështirë. Tani edhe kjo puna e karantinës ishte me të mbyllur brenda. As erdhi kush me më ndihmuar, as këta të komunës. Edhe të vinte kryetari i komunës, të shkonte me makinë e shkonte shpërndante kurse unë me burrë plak s’më merr kush me më dhënë një bidon ujë. Për mua jo tërmet, jo gjë, për mua ishalla bie tani të vdesim që të dy se unë nuk e përballoj dot.

Ina Zhupa: Po shtëpia çfarë dëmesh ka, çfarë ju kanë thënë? Çfarë letrash ju kanë dhënë?

Bukurie Balla: Asgjë s’më kanë thënë. Ja se do vimë sot e do vimë nesër. Mua s’më kanë thënë asnjëlloj përgjigje, jo mua por as fqinjve këtu.

Ina Zhupa: Nuk ju kanë thënë çfarë dëmi ka shtëpia juaj?

Bukurie Balla: Kanë ardhur, i kanë parë maksimumi, por asnjë gjë s’më kanë dhënë. Vijnë, shikojnë dhe marrin kokën dhe udha e mbarë.

Ina Zhupa: S’ke asnjë letër?

Bukurie Balla: Asnjë gjë fare, as letër, as kurrgjë. Veç kanë bërë atë dhe asgjë. Unë nuk jam e zonja për ta përballuar fare më. Kam qënë pa bukë, hapni raftet e mia e shikoni, se po laj borxhet e qirave të dynjasë. Më mirë në shtëpinë time e di se vdes në shtëpinë time, do të vdes, të vdes.”

Bashkia Tiranë: Familja Balla merr bonusin e qirasë, do të ketë edhe shtëpi të re

Në një reagim të mëvonshëm, Bashkia e Tiranës theksoi se familja në fjalë merrte bonusin e qirasë dhe se do të përfitonte shtëpi të re duke hedhur kështu poshtë akuzat e demokratëve.

“Alternativa e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike për qytetarët e Tiranës është gënjeshtra dhe shpifja, me shpërndarje fake neës-esh për familjet e prekura nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Spikerja e Lulzim Bashës mashtroi përsëri sot me familjen e Jani dhe Bukurie Ballës nga Kombinati, duke e shitur rastin e tyre për përfitime të shëmtuara politike.

Banesa e familjes Jani dhe Bukurie Balla në Njësinë Administrative 6, është shpallur e pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, për shkak se ka pësuar dëme të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, e për këtë arsye kjo familje trajtohet çdo muaj me bonus qiraje prej 180 mijë lekësh, të cilat duhet t’i përdorë për të jetuar në një shtëpi me qira”, thuhet në deklaratën e Bashkisë.

Më tej Bashkia sqaron se deklarata e PD-së se kjo familje nuk është ndihmuar është një mashtrim i ulët i Lulzim Bashës. Sikurse provohet edhe nga dokumentet, bonusi i qirasë është tërhequr rregullisht nga zonja Balla.

Bashkia bën të ditur se gjatë kësaj kohe familja Balla ka përfunduar procedurat dhe është pjesë e programit të rindërtimit, për të përfituar një banesë të re.

“Për të provuar edhe një herë gënjeshtrën e shëmtuar të PD-së dhe përdorimin që po i bën fatkeqësisë së tërmetit, si në rastin e z. Nik Prendi të disa ditëve më parë, po ju vëmë në dispozicion dokumentin e tërheqjes së bonusit të qirasë në postë nga vetë znj. Bukurie Balla.

Tërheqja e fundit e bonusit të qirasë në Postën Shqiptare, me firmën e vetë znj. Balla, ka ndodhur në datë 26 Gusht 2020. Gjithashtu, familja Balla ka përfunduar procedurat dhe është pjesë e programit të rindërtimit, për të përfituar një banesë të re”, thekson Bashkia Tiranë.

/m.v. abcnews.al