PD mes dy Kuvendeve, Mustafaj: Ai 11 dhjetorit, i duhuri për t’i dhënë partisë vitalitetin e munguar

schedule22:23 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 22:23 - 6 Dhjetor, 2021

Kuvendi i 11 dhjetorit është i duhuri për t’i dhënë Partisë Demokratike vitalitetin që i ka munguar sidomos pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.

I këtij mendimi është analisti Besnik Mustafaj i cili në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” u shpreh në këto muaj ka ndodhur një diferencim i qartë mes gjuhës së përdorur nga “Foltorja” dhe diskursit të ndjekur nga kreu i demokratëve Lulzim Basha dhe kryesia.

“Gjuha e përdorur nga Basha dhe kryesia, në asnjë moment nuk ka guxuar të futet në terrenin e politikës. Ndërkohë që kriza është politike.”

Për Mustafajn lideri historik i demokratëve nuk e ka nisur “Foltoren” për qëllimet e tij personale. Ai shton se çfarëdolloj posti të ketë Berisha në PD, nuk përbën asnjë lloj mbrojtje në betejën e tij me SHBA.

“Pati kohë, nga maji në shtator, bëri disa veprime si çelja e gjyqit për të treguar se çështja është mes tij dhe DASH dhe do ta zgjidhë në mënyrë individuale. Nuk i ka përzier, nuk ka kërkuar mandate, apo mbrojtje nga foltorja apo demokratët.”

Por cili do të ishte i duhuri për PD pas mbajtjes së dy Kuvendeve, Basha apo Berisha? Analisti thotë se në këto kushte, Berisha është zgjidhje më e mirë.

“Berisha nuk është zgjidhja më e mirë, por e ka zgjuar PD. E ka vitaluzuar bazën e saj që ishte në depresion. Përballë Bashës është zgjidhje më e mirë në këtë moment. Duhet mbështet ky Kuvend pa dilema.”

Skenari më i mirë për PD pas 11 dhjetorit?

“Skenari më i mirë pas 11 dhjetorit është që PD të bëjë të gjitha ndryshimet jetike për ta hapur PD, ndryshime statutore. Berisha më duket i gatshëm t’i bëjë. Bëhen të gjitha ndryshimet, të votohen, të fitojë fuqi statuti, të hapet fushata për zgjedhjen e kryetarit të ri. Një fushatë e tipit amerikan. Për 6 muaj të gjithë kandidatët të bëjnë të mundshëm që të rreshtohen pas atij që fiton. Në fund ai që fiton të drejtojë PD drejt betejës së radhës elektorale.”

Megjithatë, analisti thekson se në mendimin e tij, ish-kryeministri nuk duhet të vijë në krye të PD pa një garë serioze, apo të caktojë pasardhësin. /abcnews.al/