Analisti politik Roland Bejko ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar 8 Janarin si një “njollë turpi” për PD-në dhe për ish-kryeministrin Sali Berisha. I ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, Bejko u shpreh se Berisha është përgjegjësi kryesor për ndarjen e demokratëve dhe rrudhjen e vazhdueshme të partisë gjatë katër viteve të fundit, duke theksuar se PD është shndërruar në një forcë politike pa ide dhe vizion.
Sipas tij, rikthimi i Berishës në PD u bë në mënyrë të dhunshme, jo për interesat e partisë, por për të mbrojtur interesat personale dhe familjare, në kushtet e shpalljes “non grata” dhe përballjes me disa çështje të hapura gjyqësore, ndërsa historia politike e tij, sipas Bejkos, rrezikon ta mbajë mend për keq.
“8 Janari, është një njollë turpi për PD dhe Sali Berishës. Berisha i ndau demokratët. Pas katër vitesh jemi në këtë gjendje, ku PD sa po vjen dhe po rrudhet. Ky është suksesi më i madh i Sali Berishës. PD është kthyer në një parti pa ide. Berisha në një intervistë televizive e dinte që PD do ndahej dhe përsëri i bëri. Berisha u kthye në PD dhunshëm sepse parti i duhej si strehë për të mbrojtur interesat e veta, nga “non grata’ dhe ndërkombëtarët.
Berisha sot nuk ka çështje thjesht karrigen, Berisha ka hallet familjare, sepse ka një proces gjyqësor që është e përfshirë e gjithë familja e tij, siç është dosja “Partizani”. Nga ana tjetër janë dy dosje të tjera “21 Janari” dhe “Gërdeci”. Berishës nuk i interesojnë fare paratë, por raporti i tij me historinë. Dhe raporti i tij me historinë është që do të mbahet mend për keq. Kanë filluar punët e këqija që ta vënë poshtë, sepse po bëhet një plak i bezdisshëm në PD, ka rënë si gjyle dhe nuk po lë demokratët që të ecin përpara”, tha Bejko.


