PD konfirmoi votën pro, nis shqyrtimi i projektligjit për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut në Kuvend

schedule11:54 - 10 Shkurt, 2022

schedule 11:54 - 10 Shkurt, 2022

Ka nisur në Kuvend shqyrtimi i projektligjit për zgjatjen e organeve të vettingut. Kjo është një nismë e 39 deputetëve të Partisë Socialiste disa muaj më parë pasi u konstatua se kryerja e vettingut të organeve të drejtësisë nuk mund të përfundonte brenda afatit të paracaktuar me ligj në vitin 2016.

Rrjedhimisht sipas tyre duhet ndryshuar ligji, por për të ndodhur kjo, duhen edhe votat e demokratëve për të arritur një shumicë të cilësuar.

Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka radhiti disa arritje të mëdha sipas saj të Reformës në Drejtësi siç është funksinimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë si edhe rivlerësimi i një numri të madh prokurorësh dhe gjyqtarësh.

Në lidhje me miratimin e këtyre ndryshimeve kanë reaguar edhe ndërkombëtarët në vend duke kërkuar nga palët që ta votojnë sëbashku, si një veprim në të mirë të vendit.

Shpjegues: Pse kërkohet zgjatja e mandatit të organeve të vettingut

Organet e vettingut si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit si edhe Komisioneri Publik, të tre institucione të ngarkuara për rishikimin e figurës së anëtarëve të Sistemit të Drejtësisë u miratuan në vitin 2016 me një mandat të caktuar. KPK dhe Komisioneri Publik kanë një mandat 5 vjeçar, kurse KPA ka një mandate 9-vjeçar.

Aktualisht është në përfundim mandati i anëtarëve të KPK-së dhe Komisionerit Publik. Sipas ligjit, mandati i tyyre përfundon në qershor 2022. Ligji parashikon që në rastet kur përfundon mandati i tyre, punën e KPK-së e bën Kolegji i Lartë i Prokurorëve për prokurorët dhe Kolegji i Lartë Gjyqësor.

Po ashtu detyrën e Komisionerit Publik e bën SPAK-u në rastet kur përfundon mandati i Komisionerit Publik, raporton abcneës.al.

Pra, puna për vetimin e punonëjsve të Sistemit të Drejtësisë nuk bllokohet, por komplikohet.

Ndryshimet e kërkuara nga 39 deputetët e PS-së lidhet pikërisht me KPK dhe Komisionerin Publik në mënryë që punën e tyre të mos e bëjnë organet e tjera.

Deputetët kërkojnë që mandati i tyre të zgjatet edhe me dy vite të tjera.

Deri më tani, organet e vettingut kanë përpunuar 60% të çështjeve dhe kanë mbetur 40% e çështjeve të tjera që nuk janë kryer.

Nga të dhënat rezulton se janë edhe 300 prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës të administratës së prokurorive dhe gjykatave që nuk janë vetuar ende. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!