Ervin Salianji tha se problemi i opozitës nuk është bojkoti, por paqartësia strategjike e lidershipit të PD-së, duke theksuar se vendimmarrjet po merren nën emocion dhe pa vizion afatgjatë.
Sipas tij, PD duhet të kishte shfrytëzuar kohën për të ndërtuar një ofertë konkrete politike, në vend të luhatjeve mes bojkotit dhe pjesëmarrjes në komisione.
Salianji u shpreh se partia nuk është në rrugën e duhur për shkak të drejtimit aktual dhe paralajmëroi se opozita duhet të përgatitet seriozisht për zgjedhjet që e presin.
“Këtu nuk është problemi vetëm te bojkoti, që është provuar si i dëmshëm për opozitën. Këtu ka një problem tjetër, në këto dy muaj që kjo lëvizja po ndodh dhe po i thotë disa të vërteta. Atë që e kam thënë në disa takime, që lidershipi i PD vijon të ketë një paqartësi strategjike. Kur u zgjodh Avokati i Popullit me firmat e PD, u tha se Edi Rama nuk na e mban fjalën, është burrë i keq dhe nuk do marrim pjesë në asnjë komision. As te reforma zgjedhore as te reforma Territoriale. Tani nuk ka kaluar dy muaj, ndodhi që po shkojmë. Pse e merr një vendimmarrje nën emocion? Nga ana tjetër, cfarë bën një parti serioze? Këtë një muaj ti nuk shkon në komisionin e reformës, por mbledh gjithë drejtuesit e pushtetit lokal, mbledh Shoqatën e Bashkive, merr ekspertët që ke patur dhe del me një propozim konkret se si PD ka vizionin e vet për ndarjen territoriale. Ndarja territoriale aktuale për opozitarët është ndarje elektorale që ka bërë Rama, nuk i shërben qytetarëve. A do ishim më seriozë nëse japim ofertën tonë politike? Se kjo puna ulemi s’ulemi me Ramën.. po tani si do ju themi demokratëve ne kur të ulen me Edi Ramën?
Unë kam dalë me vonesë, dhe kjo po mund të jetë pak e gabuar. E dini pse? Sepse kam pritur atë që më është thënë, të presim raportin e OSBE/ODIHR, mos zhvendosim vëmendjen. Sot e di cfarë duhet të diskutonim ne? Sot duhet të kishim kandidatët për Bashkitë, një vit nga sot je në fushatë. PD do përballet me zgjedhje se nuk i shmangesh dot, dhe sot duhet të kishim në debatin publik, ofertën tonë politike, kandidatët tanë. Ne sot themi, paradite shkojmë te reforma, pasdite themi jo se Rama ta hedh. Si mundet të gënjehesh nga Edi Rama, për të 100 herë pas 13 vitesh?! Ajo që shoh është që PD nuk është në rrugën e duhur për shkak të lidershipit.”


