Partia Demokratike i është përgjigjur Sali Berishës pasi ky i fundit e cilësoi qesharake deklaratën deputetes dhe zëdhënëses së PD Ina Zhupa, se ish-kryeministri po shmang vëmendjen nga skandali me inceneratorët, duke u marrë me halle personale.
Sipas PD, me deklaratën e tij Berisha ka fyer dhe shpifur ndaj Zhupës, duke dëshmuar mungesë të argumenteve të komunikimit. Në vijim të deklaratës, PD thekson se shoqëria shqiptare duhet të ndahet përfundimisht nga politika e vjetër, nga gjuha e urrejtjes dhe e linçimit.
Lexo edhe: “Shmang vëmendjen nga inceneratorët”, Berisha-Bashës: E denoncova aferën që në 2015-ën
“Fyerjet dhe shpifjet ndaj zëdhënëses së PD janë dëshmi e qartë e mungesës se argumentave dhe etikës së komunikimit të Sali Berishës. Mënyrë komunikimi që e shfaqin shpesh dhe një pjesë e pakicës që e mbështesin. Shoqëria shqiptare duhet të ndahet përfundimisht nga politika e vjetër, nga gjuha e urrejtjes dhe e linçimit. Demokratët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ata zgjedhin të ardhmen“, thotë PD.
Pasi Albana Vokshi dhe Evi Kokalari shkuan në selinë blu për të organizuar mbledhjen e LDG, Zhupa reagoi duke thënë se Berisha dhe mbështetësit e tij, gjejnë kohë të merren me hallet personale duke larguar vëmendjen nga skandali me inceneratorët.
“Ne ditën kur duhet ngritur zëri dhe reagimi për skandalin e inceneratorëve, Sali Berisha dhe Albana Vokshi gjejnë kohën të merren me hallet personale duke larguar vëmendjen nga skandali e korrupsioni disa milion eurosh. Le te pyesin veten pse nuk flasin për këtë skandal? Pse përpiqen të largojnë vëmendjen nga përfshirja e zyrtarëve më të lartë të qeverisë?! Pse nuk i shqetëson ky fakt?!”, shkruajti Zhupa.
Në përgjigje të Zhupës reagoi vetë Berisha i cili tha se ka qenë ndër të parët që ka denoncuar skandalin e inceneratorëve. Incientin e ndodhur në dalje të selisë blu, ku Kokalari dhe Vokshi u përplasën me një simpatizante të PD, Berisha e quajti një provokim të Bashës, ndërsa shtoi se ky i fundit do të mbajë përgjegjësi. be.k/abcnews.al