PD fajtore për negociatat? Basha në “Log”: Po më jepet një meritë më e madhe sesa meritoj

schedule22:46 - 30 Nëntor, 2020

schedule 22:46 - 30 Nëntor, 2020

Këtë vit nuk ka negociata për Shqipërinë. Angela Merkel deklaroi sot se nuk mund ta premtojë çeljen e negociatave me Shqipërinë këtë vit. Për Lulzim Bashën, fajtori kryesor për këtë është Edi Rama. I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Log” në “ABC” ai tha se kryeministri aktual ia shtoi listën e kushteve Shqipërisë.

Më vjen shumë keq për këtë, është herë e dytë në dijeninë time që kancelaria e thotë këtë. Rama ka dështuar edhe me integrimin. Rama është i vetëdijshëm që Europa nuk mund të pranojë sjelljen autokrate dhe për këtë arsye vendosën 15 kushte. I pari ka qenë reforma zgjedhore. Tani “5 Qeshori” nuk ishte ndonjë magji e madhe, por kishte efektin që premtonte një klimë normale drejt zgjedhjeve.

Nxitimi, obsesioni, frika dhe ankthi nga zgjedhjet e shtynë të vinte shkelmin ndaj zgjedhjeve. Në këtë moment ka qenë plotësisht i vetëdijshëm që po i bënte një dëm Shqipërisë, që pret, e pret e do të presë derisa të largohet Edi Rama që të përfitojë. Kur nis negociatat të hapen të tjera çeqe, mundësi, subvencionet për fermerët. Shqipëria nuk ka akses për të ndihmuar fermerët si Mali i Zi dhe Serbia” tha ai.

Por çfarë përgjigje ka Lulzim Basha për Edi Ramën që e akuzon se ka nxirë Shqipërinë jashtë duke ndikuar te vendimi për negociatat? “Rama nga njëra anë thotë po ecim mirë, dhe nga ana tjetër sa herë thyen hundët përpara realitetit evropian, unë e di si shkohet në Europë, kam jetuar dhe punuar, me hile nuk hyhet, vetëm me plotësim të kritereve. Që në Europë hyhet me kritere kjo është e faktuar, kur i plotësuam na hoqën vizat, sot udhëtojmë pa viza se u plotësuan kriteret, kur nuk plotësohen nuk e merr, por i janë shtuar, prej opozitës? Jo, qeveria jo vetëm që nuk ka bërë detyrat, por ka shtuar zullumet. Të thuash që Europa dëgjon PD-në dhe Bashën, që unë kontrolloj parlamentin evropian dhe parlamentin gjerman, është një meritë pak më e madhe se ajo që meritoj” tha ai.  / db/Abcnews.al