Pakënaqësitë ndaj primareve, nga deputetët po shtrihen tek përfaqësuesit lokalë e baza e demokratëve. Një ish-drejtuese e Partisë Demokratike të Fierit, Zamira Mernica ka dalë kundër drejtimit të qarkut nga Gazment Bardhi.
Edhe pse e dorëhequr prej 2 vitesh, për shkak të Luan Baçit, Mernica shkruan se në këtë rast i jep më shumë të drejtë armikut të saj politik, deputetit të zonës, se sa Bardhit, të cilit i kujton 8 janarin.
“Si ish Kandidate për Deputete, ish Nën/Kryetare e Partisë Demokratike Dega Fier e vëmendshme në zhvillimin e Primareve, dua të shpreh mendimin tim në këtë situatë ndoshta vendimmarrëse për të ardhmen e PD, e duke drejtuar gishtin drejt “Armikut Tim” Politik. I nderuar Z. Luan Baci, ti kurrësesi nuk duhet të ishe zëvendësuar me Gazmend Bardhin, pa patur diçka personale, por në gjykimin tim PD vulosi humbjen në Fier me Drejtuesin Politik që ndihmoi në shkatërrimin e PD vite më parë, njëjtë si në atë kohë me gaz dhe me hunj.”
Mernica nuk ka asnjë kërkesë për Bardhin, por vetëm për Baçin, të cilit i kërkon ti rikthejë PD-në e Fierit demokratëve.
“Z. Baçi më detyrohesh mua si kundërshtare, dhe gjithë demokratëve të ndershëm të Fierit që ta shpëtosh PD e t’ua rikthesh dinjitetin.”
Vitin e kaluar, pavarësisht kontestimeve nën zë të Luan Baçit, Berisha vendosi ta zëvendësojë atë me drejtuesin Gazment Bardhi, i cili në gjithë karrierën e tij të shkurtër politike, ka regjistruar vetëm humbje. Pas Elbasanit, baza nuk e dëshiron në Fier./abcnews.al