Aksionin e tyre politik për vitin 2020 demokratët e nisën me armën e tyre më të fortë politike, dekriminalizimin. Sekretari Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi fillimisht depozitoi në Prokurori kërkesën për hetim të thelluar për pastërtinë e figurës së kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj dhe më pas i kujtoi këtij të fundit një datë për t’i freskuar kujtesën?
“Qerim Ismailaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik”, deklaroi Bardhi.
Njësoj si me rastet e kryebashkiakëve të Shkodrës, Vorës dhe Vaut të Dejës, demokratët i dhanë kohë kryebashkiakut në detyrë për të dhënë shpjegime përpara se të paraqesin vendimin e formës së prerë.
“PD po punon dhe shumë shpejt do të vërtetojë për opinionin publik se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale”, tha më tej Bardhi.
Dhe përgjigja e Ismailajt nuk vonoi, kur me bindje deklaroi se nuk ka kryer asnjë vepër penale.
“Jam shumë i hapur për çdo lloj verifikimi të mundshëm”, deklaroi Ismailaj.
Në formularin e tij të dekriminalizimit, Ismailaj ka deklaruar se nuk ka asnjë dënim të formës së prerë brenda dhe jashtë vendit. Sa i takon qëndrimeve jashtë vendit, kryebashkiaku i Mallakastrës tregon 3 periudhat e tij si emigrant në shtetin grek. I fundit në vitit 1999 në Mitilini, koha e cila përkon edhe me denoncimin e demokratëve. Në shtator të 1999, Ismailaj deklaron se ka punuar si mësues histori-gjeografie në shkollën 8 vjeçare Corrush të Mallakastrës, për të vijuar më pas karrierën politike si kryetar për 11 vjet i Komunës Kutë të Mallakastrës.
Por a gaboi në deklarimin e të dhënave të tij jashtë vendit Qerim Ismailaj, mësuesi që nga 2014 gëzon edhe titullin “Avokat” pas përfundimit të Fakultetit Juridik në universitin Kristal? Këtë fakt pritet që vetë Ismailaj ta zgjidhë në betejën e nisur politike me demokratët.
Ndërkohë që vetë Rama, në qershor të 2019 dha garanci të forta për të besuarin e tij.
“Qerimin e keni njeriun tuaj mbështeteni fuqimisht”, ka deklaruar Rama./abcnews.al