PD e akuzon për fatura fiktive ndaj Inceneratorit të Tiranës, kush qendron pas “AVE Consulting”, si ndryshoi “objektin” dhe “origjinën” pas kontratës së shërbimit

schedule11:50 - 15 Korrik, 2022

schedule 11:50 - 15 Korrik, 2022

Partia Demokratike ka publikuar detaje të reja në lidhje me kompanitë që kanë përfituar para nga inceneratorët duke gjeneruar fatura false sipas demokratëve. Bëhet fjalë për një shumë prej 649 mijë eurosh të përfituar prej vitit 2016 nga kompania që ka mbikëqyrur punimet për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Në një deklaratë sot në selinë e PD-së, Belind Këllici deklaroi se kompania në fjalë, e quajtur “AVE Consulting” ka miratuar punime fiktive në emër të inceneratorit të Tiranës duke pranuar sikur aty janë bërë punime, por në fakt, gjithçka është false.

“AVE Consulting ka ceritfikuar edhe projekte të tjera në kryeqytet, që nga studimi për prishjen e Teatrit Kombëtar e deri te dhurimi i projektit për aferën që u zhvillua për ndërtimin e Unazës së Re. Kjo kompani ka bërë projektimin e segmentit Pallati me Shigjeta, Rreth-rrotullimi Shqiponja për llogari të një kompanie tjetër private. Kompania nuk ka në organikën e as një inxhinier gjeodet”, shprehet Këlliçi.

Por, kush është “AVE Consulting” dhe personat që e kanë në pronësi?

Sipas disa verifikimeve të bëra nga Abcnews.al, kompania “AVE Consulting” është në pronësi të dy personave, Arben Dervishaj që zotëron 51% dhe Ervin Paçi me 49%.

Kompania është regjistruar për herë të parë në QKR në vitin 2006 me një capital 100 000 lekë dhe kishte si fokus kryesisht ndërtimet, ndërkohë që pjesë e saj me 33% të aksioneve ishte edhe Vilson Goshi, i cili është ndarë nga kompania në vitin 2013 duke ia shitur aksionet Dervishajt dhe Paçit.

Në vitin 2016, pikërisht kur nis edhe afera e inceneratorëve sipas PD-së, kompania në fjalë ndërron objektin duke kaluar krahas ndërtimit edhe në sektorin e supervizimit të punimeve, ndërsa theksohet se tashmë ajo nuk është kompani shqiptare, por një kompani 100% e huaj.

Gjatë ditëve të fundit janë publikuar detaje tronditëse nga afera e inceneratorëve me kompani guacka që lëshonin fatura false për të justifikuar shpenzimet e kompanive të inceneratorëve, të cilat më pas legjitimonin paratë e marra nga Buxheti i Shtetit për t’i dërguar jashtë shtetit përmes filialeve të tyre atje.

Deri më tani nuk ka asnjë arrestim në këtë drejtim përveç kapjes së Lefter Kokës dhe deputetit të PS-së, Alqi Bllako, krahas disa drejtorëve të niveleve të dyta. Të vetmit që janë paraqitur në SPAK për faturat fiktive janë disa hellexhinj që u janë keqpërdorur të dhënat duke u bërë pronarë të kompanive milionëshe. /abcnews.al