“Edi Rama ka nga një kandidat për secilën bashki, dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe opozita, duke sjellë një kandidat rivalizues.” Kështu është shprehur i mandatuari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për bisedime me pjesën e PD-së që drejtohet nga Sali Berisha.
Në një deklaratë jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, për gazetarët Gazment Bardhi u shpreh se me Edi Palokën nuk do të negociojë por do të ketë një bisedë të hapur mes kolegëve. Bardhi theksoi se grupi që ai përfaqëson as nuk hyn me kushte në bisedime dhe as nuk do të pranojë kushte nga pala tjetër.
“Në dijeninë time Berisha ka caktuar Palokën për të biseduar. Unë do të kontaktoj me të, një koleg i imi në Grupin e PD. Nuk do të negocioj me Palokën. Do të shohim mundësinë për të pasur një kandidat të përbashkët që të rriten shanset për të fituar në mënyrë të konsiderueshme.
Do të bisedoj për të parë se cili është qëndrimi i kolegëve që përfaqëson Paloka. Do të shpreh qëndrimin që do të mbajnë kolegët që më kanë mandatuar për këtë proces bisedimesh. As nuk hyjmë me kushte as nuk pranojmë kushte. Sepse nuk pranojnë demokratët kushte. E kemi për detyrë t’ua japim këtë mundësi. Sesi do të biem dakord, ju lutem pak më shumë durim. Ne hymë në këtë proces për të gjetur forma bashkëpunimi për çështjen e zgjedhjeve lokale…Fakti është që Rama ka një kandidat në cilën prej këtyre bashkive dhe opozita duhet të ketë një kandidat rivalizues,” tha Bardhi para gazetarëve.
Kurse, sa i përket faktit që ajo pjesë e PD-së që ai përfaqëson nuk e njeh Sali Berishën si kryetar apo ka refuzuar të ulet në bisedime me kryedemokratin, Bardhi tha se në dijeninë e tij, ish-kryeministri nuk ka bërë të ditur se pretendon të kandidojë për ndonjë bashki të vendit.
Për Bardhin, çdo mbivendosje përpos temës së kandidatit për përbashkët të opozitës, do të ishte tentative për përçarje dhe dëmtim të procesit.
Kujtojmë se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar Gazment Bardhi për të kontaktuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës.
Pas diskutimeve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët në mënyrë unanime, sipas asaj që u njoftua, shprehën vullnetin për të gjetur format e duhura të bashkëpunimit për zgjedhjet lokale fillimisht duke nisur me të gjithë Partinë Demokratike dhe me çdo faktor opozitar.
Sipas grupit të Alibeajt, zgjidhje e vetme për t’u përballur me qeverinë Rama në zgjedhjet lokale “është bashkimi i çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD dhe opozitës në zgjedhje.”
Ka qenë vetë kryedemokrati Sali Berisha, i cili konfirmoi nisjen e negociatave jo vetëm për reformën territoriale, por edhe daljen si një trupë e bashkuar në zgjedhjet lokale përballë të vetmit kundërshtar që thotë se ka, Kryeministrit Rama. /abcnews.al/