PD diskuton detajet për protestat popullore

schedule18:38 - 23 Janar, 2019

schedule 18:38 - 23 Janar, 2019

Detajet për organizmin e protestave popullore demokratët i disktuan dhe në Grupin Parlamentar. Pas më shumë se një ore mbledhje me dyer të mbyllura para gazetarëve doli nënkryetari i selisë blu. Edi Paloka apelin qytetarëve ja drejtoi si njëri prej tyre.

“Kushdo që ka një hall, çdo qytetar duhet të kuptojë se duhet të ngrihet dhe të protestojë ndaj Edi Ramës, sepse për ndyrshe ai do vazhdojë të tallet, do vazhdojë të bëjë arrogantin dhe do vazhdojë ta shkelë këtë popull me këmbë. Dhe nëse nuk ngrihemi vetë për interesat tona dhe këtë e kam për qytetarët po flas si qytetar në radhë të parë, nëse nuk ngrihemi ai do vazhdojë të tallet me ne. Dhe ne do shkojmë keq e më keq dhe do shikojmë fëmijët tanë të marrin rrugët e emigrimit”.

Nënkryetari i Partisë Demokratike kishte dhe një përgjigje për Ambasadorin e Bashkimit Europian sipas së cilit vendi i opozitës është në Parlament.

Edi Paloka: “Ambasadori i Bashkimit Europian dy javë më parë deklaroi hapur se lufta ndaj krimit në Shqipëri ka mbaruar. Madje edhe ajo “luftë që kishte filluar” me të famshmen “ Forca e Ligjit”  edhe ajo luftë është ndërprerë. Ndaj edhe për këtë pjesë shqiptarët duhet të ngrihen që ne të mos bëhemi viktima të krimit”.  

Të martën kryesia e Partisë Demokratike caktoi 16 Shkurtin si kulm të aksionit opozitar me qëllimin për të rrëzuar  Kryeministrin Rama  dhe instalimin e një qeverie tranzitore për organzimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por “ABC news” ka mësuar se protesta do të nisin më herët.

Më katër Shkurt demokratët do të nisin demostrata në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kalendari po hartohet dhe pritet të jetë gati brenda dy ditësh.

Ndërkohë do te jetë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, por dhe Forumi Rinor i Partisë Demokratike ata që do të përcojnë mesazhin për misionin opozitar në  një tur takimesh me qytetarët./abcnews.al