Pas Durrësit, Shkodra është qarku i dytë që po shkon drejt konsolidimit të kandidaturave për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit në 6 bashkitë pa kryetarë.
Socialistët duket se do ia besojnë kandidaturën për këtë “zonë” të nxehtë, bastion historik i të djathtëve Majlianda Angonit e cila aktualisht është prefekte e qarkut të Shkodrës.
Surprizë është kryetarja aktuale në detyrë Voltana Ademi e cila qëndron në postin e kryebashkiakes përtej afateve, për shkak se Valdrin Pjetri, kandidati socialist pa rival në zgjedhjet e 30 qershorit u dogj nga ligji i dekriminalizimit.
Në këto zgjedhje, Ademi përflitet se do garojë në “siglën” e Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës. Megjithatë emri ende nuk është zyrtarizuar pasi një tjetër emër në tryezë në kampin e Berishës është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Bardh Spahia.
Ndërsa nga ana e PD-së zyrtare, kandidat mendohet se do të jetë Xhemal Bushati ish-kryetar i këshillit Bashkiak të Shkodrës. /abcnews.al