Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste pë Integrim nuk pranuan të dorëzojnë emrat e komisionerëve zgjedhore, por ky vendim nuk e bllokon procesin e zgjedhjeve në 30 qershor. Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë njoftimin për të plotësuar vakancat e krijuara nga 2 partitë opozitare.
Një ditë pasi Opozita refuzoi të dorëzojë listat e anëtarëve të Komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi punën për emërimin kryesisht për plotësimin e vakancës së krijuar.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shpall kërkesën për shprehje interesi nga shtetas për t’u emëruar kryesisht nga KQZ anëtarë apo sekretarë të 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor që do të ngrihen për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019”.
Që të pranohen nuk duhet të jenë të propozuar nga parti politike për të qenë anëtarë apo sekretarë të KZAZ-së për zgjedhjet e datës 30.06.2019; dhe të mos kenë qenë të zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit. Këto janë vetëm dy nga kriteret nga 10 në total që duhet të plotësojnë aplikantët. Dokumentacioni duhet ta dorëzojnë deri në datën 28 mars.
Në këtë mënyrë Kodi zgjedhor ka parashikuar të mos lejojë bllokimin e zgjedhjeve vendore. Është neni 5 që i ka dhënë zgjidhje.
“Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar në pikën 2 të nenit 28 të këtij Kodi, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1 shkronja “a” të këtij neni”.
Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.
“Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve”.
Me këtë arsyetim Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim i jepet mundësia që të propozojnë komisionerët e tyre deri në datë 30 maj, gjithmonë nëse arrihet një marrëveshje politike apo opozita del me një vendimmarrje të re.
Aktualisht është vetëm Partia Socialiste që ka dorëzuar listat me 315 emrat e anëtarëve të saj. 225 komisionerët e Partisë Demokratike dhe 90 të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk iu përgjigjën afateve ligjore./abcnews.al