PD denoncon ndërtimin e tre inceneratorëve: Aferë korruptive

schedule10:31 - 25 Janar, 2018

schedule 10:31 - 25 Janar, 2018

Partia Demokratike denoncoi sërish sot planin e qeverisë për ndërtimin e tre inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat drejtuese e Departamentit Antikorrupsion, Lealba Pelinku e cilësoi si një nga aferat më korruptive të Kryeministrit rama.

Pelinku publikoi kontratat e inceneratorëve të Fierit dhe Tiranës, që sipas saj janë mbajtur të fshehta pasi kanë shkelje të mëdha ligjore.

Deklaratë e drejtueses së Departamentit Antikorrupsion, Lealba Pelinku

 Ndërtimi i 3 fabrikave për djegien e plehrave në Elbasan, Fier dhe Tiranë është një nga aferat më të mëdha korruptive të qeverisë së Edi Ramës.

Për të mbuluar korrupsionin, qeveria i ka mbajtur  të fshehta kontratat e inceneratorëve, me të cilët Edi Rama dhe Arben Ahmetaj do të zhvasin 178 milionë euro, duke djegur plehra dhe duke helmuar ajrin.

2 prej 3 kontratave, ajo e Fierit dhe e Tiranës nuk janë botuar as ne Buletinin e Agjensise se Prokurimeve Publike dhe as ne Fletoren Zyrtare, duke kryer kështu edhe vepër penale.

Por, megjithëse qeveria i ka trajtuar kontratat e inceneratorëve te Fierit dhe Tiranës si sekret shtetëror, Partia Demokratike ia ka dale t’i gjejë këto kontrata, të cilat bëhen publike sot për herë të parë.

Kontratat kanë shkelje të rënda ligjore!

Përshembull: Kontrata për Fierin nuk ka të specifikuar vendin se ku do të ndërtohet, duke hyrë në histori si kontrata më antiligjore e firmosur ndonjëherë, sepse asnjë kontratë nuk mund të firmoset pa patur të përcaktuar truallin ku do të kryhet ndërtimi.

Kontrata e inceneratorit të Fierit, me pronarë të vërtetë Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn, është ndër kontratat më korruptive, sepse ajo nuk ka të specifikuar as teknologjinë, as firmën e inceneratorit, asgjë!

Kontrata nuk e ka përcaktuar teknologjinë, sepse ajo është pjesa më e kushtueshme e një fabrike për djegien e plehrave. Sa më pak të kushtojë teknologjia, si këto që janë ndërtuar dhe po ndërtohen në Elbasan, Fier dhe Tiranë, aq më shumë helme do të nxjerrin në ajër nga djegia e plehrave!

Zbulimi i kontratave sekrete për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës nxjerr zbuluar edhe mashtrimin skandaloz të pronarit të 3 inceneratorëve, Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

Duke u përpjekur të akuzojë Lulzim Bashën, që kishte denoncuar aferën prej qindra milionë euro të inceneratorëve, Ministri i Financave deklaroi – citoj: “Projekti i Tiranës është ende larg konkretizimit dhe hëpërhë nuk mund të thuhet që është e sigurtë që do të zbatohet”

Që ky është një mashtrim i paskrupullt, këtë e tregojnë dy fakte:

Së pari, nga dokumenti i zbuluar prej Partisë Demokratike faktohet se kontrata për inceneratorin e Tiranës është firmosur në fund të Gushtit 2017, pra 3 muaj perpara se Arben Ahmetaj të gënjente publikisht.

Së dyti, “për një projekt që nuk ishte e sigurt se do te zbatohej”, Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka përfshirë në buxhetin e 2018-ës disa miliona euro si pagesa për inceneratorin e Tiranës, ku në ortakëri është edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Në ditët në vazhdim, Partia Denokratike do të shpjegojë me detaje sesi Edi Rama dhe Arben Ahmetaj, u kanë dhënë të drejtë inceneratorëve të djegin mbetjet pa i ndare ato, duke shkaktuar ndotje të lartë mjedisore dhe rrezik maksimal për shëndetin!

Në një vend ku drejtësia nuk kontrollohet nga kryeministri, kjo dosje do të përbënte prioritet për drejtësinë, por prokuroria hesht dhe peshqit e mëdhenj vazhdojnë të jenë të paprekshëm!

Partia Demokratike fton qytetarët të bashkohen me opozitën në 27 janar për t’i dhënë fund qeverisjes që nuk mendon për shëndetin tonë, por për pasurimin e kryeministrit dhe një grusht njerëzish rreth tij.

Së bashku, ne 27 Janar ne mund t’ia dalim!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!