Sali Berisha riktheu këtë të hënë, më 24 nëntor 2025, mbështetësit e tij në një tjetër tubim para zyrës së Kryeministrit Edi Rama, në vijim të thirrjeve të tij për largimin e qeverisë.
Analisti Frrok Çupi, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, e cilësoi këtë seri protestash si një “rit të konsoliduar” të Partisë Demokratike nën drejtimin e Berishës, duke argumentuar se veprimet e saj synojnë më shumë presion ndaj drejtësisë sesa objektivat e deklaruara politike.
Sipas tij, PD ka funksionuar prej kohësh në funksion të interesave të ngushta politike dhe përballjes me çështjet e hapura gjyqësore, përfshirë 21 Janarin dhe Gërdecin.
“Kjo është kthyer tashmë në një rit të partisë së Berishës. Është një gjë që në thelb ka një filozofi shumë të thjeshtë, të bëjmë se s’kemi ç’bëjmë. Është një parti që ka dalë nga funksioni i saj dhe kërkon që të krijojë vetëm trazira. Këto veprime zhvillohen për një gjë tjetër jo për atë që thuhet. Tjetër gjë është dhe tjetër funksion ka.
PD flet në parlament më shumë se gjysma e mazhorancës, ka 95% të mediave. E gjithë protesta bëhet në favor të interesave të PD, frikën për ’21 Janarin’. Është një sjellje politike e PD qysh herët. Berisha ka hedhur firma për familjen e vet dhe kullat e dhëndrit. PD ka bërë gjatë gjithë kohës një veprim në funksion të një tjetri. E gjithë kjo që ndodh nuk mund të ketë asnjë funksion, vetëm për t’i bërë presion drejtësisë, për të mos gjykuar ’21 Janarin, ‘Gërdecin’.
PD ka pasur kompleksin e Saliut. Berisha nuk ka lënë PD që të manifestojë kualitetet e veta. PD është një parti pa kualitet. Jo në të gjitha kohët, ata zgjojnë shpresa te njerëzit e krimit saqë mund të zgjohen. Aktet që Berisha po përgjigjet përpara drejtësisë janë akte me interes publik”, tha analisti./abcnews.al

