Mesazhet e deputetit Flamur Noka kundrejt kryetares së parlamentit Lindita Nikolla dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, janë bërë temë diskutimi gjatë ditës së sotme. Për to ka reaguar edhe PD.
“Kur merresh vetëm me gënjeshtra dhe del e vërteta, ajo të dhemb edhe më shumë. Si ka mundësi që Flamur Noka i jep urdhra Linditës dhe Lindita bën siç do Flamuri dhe ia jep flalën Berishës?! Kjo ndodh vetëm kur ata janë bashkë dhe kanë një qëllim, që një deputet urdhëron kryetaren e Kuvendit kujt ti japë fjalën dhe kujt jo. Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, dhe ajo është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën”, shkruan PD.
Lexo edhe: “Lëre edhe njëherë Berishën”, dalin mesazhet, Noka i shkruan Nikollës
Në rubrikën e mesazheve të deputetit, bie në sy komunikimi me ministrin Ulsi Manja e po ashtu dhe emojit me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla. Në një reagim në rrjetet sociale, Enkelejd Alibeaj tha se në mesazhet me kryetaren e Kuvendit, Noka e ka “porositur” këtë të fundit që t’ja japë fjalën Sali Berishës për procedurë.
“Edhe një herë Berishën për procedurë dhe të ikim ne :)”, dhe një emoji me fytyrë të qeshur, është mesazhi që Alibeaj thotë se Noka i ka dërguar kryeparlamentares Nikolla.
Vetë Noka u shpreh se ka komunikuar me Nikollën që t’i jepej fjala Berishës në Kuvend. Ndërsa në lidhje me ministrin e Drejtësisë ai shprehet se duhet të pyesin atë për bisedën duke hedhur poshtë akuzat për pazare me socialistët. Noka nënkupton se mes tyre ka pasur një debat në lidhje me qarkun e Dibrës pa dhënë më shumë detaje. /abcnews.al