PD: Bashkëpunëtorët e vëllait të Xhafajt, pronarë të kompanisë së llotove

schedule15:49 - 14 Shtator, 2018

schedule 15:49 - 14 Shtator, 2018

Një ditë pas paralajmërimit të kryeopozitarit Basha se forca e tij politike do të publikojë fakte që implikojnë kreun e ekzekutivit dhe atë të rendit në vend me pastrimin e parave të pista përmes bizneseve të lojrave të fatit, në selinë blu Jorida Tabaku dhe Enkeljed Alibeaj publikuan majën e ajsbergut të asaj që sipas kryeopozitarit do të trondisë opinionin publik.



Jorida Tabaku: “Dy njerëzit më të pushtetshëm të vendit, kanë ofruar mundësi korruptive dhe mbrojtje politike për vëllezërit e tyre, Olsi Rama dhe Agron Xhafaj në fushën e bixhozit dhe të lojërave të fatit”.

Historia fillon me arrestimin e Agron Xhafajt në Itali, vëllait të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

Enkeljed Alibeaj: “Pjesë e bandës së Agron Xhafajt janë edhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, vëllezërit Besnik dhe Gramos Murataj, të dënuar, gjithashtu, për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar droge”.

Sot të dy pronarë të kompanisë ITGSA, kompani bastesh.

“Është më e njohura ne tregun e bixhozit dhe njihet me disa emra si Ecobet, Baste Live, Eurolive. Për këta dy të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, duhet të kishte vepruar Ligji Antimafia për të verifikuar burimin e pasurisë së tyre”.

Jo vetëm kaq, theksojnë demokratët, por nga viti 2015 kur qeveria Rama solli në komision ligjin për mbylljen e lojrave të fatit, pikat e basteve jo vetëm nuk u mbyllën, por vetëm ato në pronësi të dy bashkëpunëtorëve në narkotrafik të vëllait të Fatmir Xhafajt, u shtuan me 2176 pika të reja.

“Shtimi i pikave të bixhozit ka nisur gjatë operacionit Fundi i Marrëzisë, duke vazhduar me periudhën kur Fatmir Xhafaj bllokoi ligjin për llogari të grupit kriminal Xhafaj.”

Këtë ky i fundit e ka mundësuar në cilësinë e kryetarit të komisionit të ligjeve – thekson Tabaku.

Jorida Tabaku: “Ndonëse ligji u paraqit për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve në prill të vitit 2015, Fatmir Xhafaj, si kryetar i Komisionit të Ligjeve e bllokoi atë deri në nëntor 2015, duke e bërë atë ligjin që ka qëndruar më gjatë në Komisionet parlamentare në historinë e Parlamentit. as ndryshimet Kushtetuese për Reformën në Drejtësi nuk kanë marrë tetë muaj kohë nga nisja në shqyrtim deri tek miratimi në parim”.

Kjo zvarritje, e shoqëruar me negociata mes Fatmir Xhafajt kryetar komisioni të ligjeve dhe ministrit të kohës së financave Shkëlqim Cani sipas Tabakut, rezultoi në ndryshime madhore në ligj që favorizojnë biznesin e bixhozit.

“Nga 200 m distancë, qeveria përgjysmoi në 100 m largësinë e pikave të bixhozit nga shkollat dhe institucionet fetare, Nga 23% tatim mbi fitimin bruto u ul në 15% tatim mbi fitimin e realizuar”.

Këtu hyn në lojë vëllai tjetër, Olsi Rama.

Enkelejd Alibeaj: “Sepse i vëllai kryeministër detyron me ligj pikat e basteve të bëjnë pagesën e mirëmbajtjes së sistemit tek kompania monopol e tij, që pastron paratë e krimit të organzuar dhe korrupsionit”.

Sa më i madh numri i pikave të basteve në vend, aq më i lartë fitimi i kompanisë që bën mirëmajtjen e sistemit të tyre,thekson selia blu sipas së cilës është kjo lidhje me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave të pista arsyeja përse Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj refuzojnë vettingun e politikaneve./abcnews.al