Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha priti këtë të hënë kryetarin e Lëvizjes Demokratike dhe kreun e Komunës së Çairit të Shkupit, Izet Mexhiti. Të dy folën për forcimin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Ferit Hoxha: Elementi i gjuhës, një ndër çështjet që ata e kanë në vëmendje të veçantë. Dhe janë angazhuar jo vetëm për ta forcuar dhe për ta parë si mund të forcohet përdorimi i gjuhës shqipe, në një shtrirje më të gjerë sa është aktualisht.
Çështja shqiptare, siguroi Mexhiti, ka avancuar pavarësisht problematikave, siç është ajo e përdorimit të gjuhës shqipe.
Izet Mexhiti: Asnjë milimetër nuk është degraduar. Në shumë sfera ku është avancuar çështja shqiptare. Kemi folur si zhvillohet korridori i 8. Gjuha shqipe.
Ministri i Jashtëm përmendi dhe çështjen që ka qarkulluar së fundmi, mbi një komunikim jo zyrtar me diplomatë. Të dy zyrtarët thanë se ajo çështje është lënë pas krahëve.
Ferit Hoxha: Gjërat kanë evoluar. I kam bërë të gjitha sqarimet e mia. Edhe në familje ka mosmarrëveshje. Nuk ka asnjë lloj tymnaje që mund të hyjë mes nesh, të na zërë sytë për të parë atë që është e përbashkët.
Izet Mexhiti: Edhe në familje mund të ketë mosmarrëveshje.
Mexhiti përmendi dhe iniciativat e përbashkëta dhe mbështetjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut tek institucionet shqiptare.
Izet Mexhiti: Ne jemi pjesë e popullit shqiptar. Bashkë me Shqipërinë për integrimin, shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për institucionet shqiptare. Dhe iniciativat janë të shumta.


