Komisionerja e zgjerimit Marta Kos thotë se pavarësia e drejtësisë është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit, por për herë të parë lidhur me pezullimin e zëvendëskryeministres, ajo u shfaq qortuese kur tha se pavarësi do të thotë edhe siguri juridike për individin.
“Nuk mund të komentoj çështje konkrete. Ajo që mund të them është që një sistem i pavarur gjyqësor është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë gjatë viteve të fundit dhe gjithashtu Shqipëria ka patur një ecuri të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe këtë ne e kemi patur si pjesë të gjetjeve tona dhe e kemi bërë pjesë të raportit të zgjerimit. Ajo që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e sundimit të ligjit e mbrojtjes së qytetarëve dhe të sektorit të biznesit, do të thosha që është e paprecedentë.
Ajo që ne duam nga çdo vend kandidat është që të ketë një sistem, ku me ndihmën e sistemit gjyqësor të ketë siguri ligjore, që në rast se dikujt i dhunohen të drejtat atëherë ka gjykata dhe ka gjykatës të cilët do të kujdesen për këtë çështje. Dhe sigurisht që raste të tilla ndodhin gjithandej, por e rëndësishme është që ne të ndjekim vendimet e gjykatës dhe ajo që kam dëgjuar nga kryeministri që do të ndodhë në fakt.”, tha Marta Kos.
Marta Kos gjithashtu mbylli debatin për zgjedhjet e 11 majit, kur i cilësoi ato si të lira dhe të ndershme./abcnews.al

