“Patriotë, ejani në Elbasan”, kapiteni i Egnatias kërkon tifozët në stadium: Do të nderojmë Kombin tonë

schedule17:16 - 17 Korrik, 2024

schedule 17:16 - 17 Korrik, 2024

Egnatia luan mbrëmjen e kësaj të mërkure ndeshjen më të rëndësishme në histori, me kampionët e Shqipërisë, që presin në “Elbasan Arena” boshnjakët e Borac Banja Lukës, në sfidën e kthimit të raundit të parë në Champions League.

Djemtë e Edlir Tetovës humbën 1-0 në transfertë, mirëpo në Elbasan, stadium ku pritet të mbështetën nga shumë tifozë shqiptarë, do të bëjnë të pamundurën për të përmbysur rezultatin dhe vetëm pak orë para ndeshjes, kapiteni i skuadrës nga Rrogozhina, Renato Malota bën thirrje për tifozët që të mbështetin fuqishëm kampionët e Shqipërisë.

“Gjendja ime? M’u desh të lija pas një shqetësim të sezonit të shkuar. Fatmirësisht jam mirë. Falë ndihmës së stafit jam gati për të luajtur nga minuta e parë.

Jam i lumtur që do të kem fatin të ndihmoj ekipin për të tentuar një kualifikim historik në Champions. Atmosfera është e mrekullueshme. Ekipi ka dëshirë dhe kualitet. Kundërshtarin e njohim tashmë, kështu që do e kemi më të lehtë.

Egnatia? Prej vitesh çdo gjë funksionon në mënyrë perfekte. Gjë që na e bën më të lehtë punën për të arritur objektivat. Çunat i shoh të motivuar. Ftoj të gjithë rrogozhinasit, por edhe gjithë tifozët shqiptarë, që 17 korrikun ta kthejmë në një ditë feste. Kam besim se do të festojmë së bashku në fund.

Nuk luan Egnatia, ‘luan’ flamuri shqiptar. Dhe ne do të mundohemi të nderojmë kombin tonë edhe për atë që ndodhi një javë më parë. Në këto kushte, kush e dashuron këtë sport dhe është patriot, duhet të vijë në Elbasan për të na përkrahur”,- përfundoi mbrojtësi i njohur lezhjan. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!