Patrik Bardhi largohet pas tre sezonesh nga Kastrioti. Sulmuesi anësor, produkt i moshave të Tiranës, pret të nisë një eksperiencë të re dhe gjasat janë që të veshë fanellën e Kukësit në vazhdim. I riu, përmes rrjeteve sociale, njofton largimin nga krutanët dhe ka vetëm falënderime.
“Përshëndetje miqtë e mi! Do doja t’ju njoftoja se që nga sot nuk do jem më pjesë e klubit KS Kastrioti . Falënderimet më të sinqerta e më të përzemërta për këtë klub, që më dha mundësi pafund në kampionatin shqiptar. Do doja të falënderoja së pari presidentin, i cili më ka dhënë një mbështetje shumë të madhe që në momentin e parë, si dhe gjithë stafin teknik për suportin e vazhdueshëm.
Një falënderim tjetër shkon për të gjithë trajnerët që kam punuar në këtë klub edhe për besimin e dhënë. Falënderimi i radhës shkon për shokët e skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar dhe përkrahur në çdo hap, si dhe në fushë, duke më shtyrë që të bëj më mirë ndeshje pas ndeshje.
Jam i lumtur që gjatë këtyre 3 viteve kam njohur shokë të cilët do të jenë përherë në zemrën time. Kemi kaluar shumë momente të vështira me njëri-tjetrin, por edhe momente shumë të bukura,duke treguar se nëse jemi të bashkuar gjithmonë ia dalim.
Falënderimi fundit, por jo më pak i rëndësishmi, shkon për tifozët e shumtë e të zjarrtë të Kastriotit, të cilët nuk u ndalën asnjëherë së na mbështeturi, pavarësisht çdo rezultati apo momenti. Do të mbeteni përgjithmonë në zemrën time. Faleminderit KS Kastrioti”, shkruan Bardhi. /abcnews.al