Patozi: Shakaja e fundit me herësin e partisë për mos hapjen e listave

schedule19:47 - 2 Tetor, 2020

schedule 19:47 - 2 Tetor, 2020

Drejtuesi i Bindjes Demokratike Astrit Patozi ka reaguar pas propozimit që bëri sot përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri duke riformuluar draftin për hapjen e listave, të cilën si opozita brenda dhe jashtë parlamentit nuk e pranuan.

Damiani e paska qarë këtë riformulimin e gjoja listës së hapur, që është caktuar të miratohet të hënën si reformë zgjedhore, me shumë gjasa mes debatesh dhe kundërshtish të ashpra. Për të kaluar herësin e partisë kandidatit i duhet, njësoj si më parë, të kaptojë 9 male dhe të marrë ndoshta më shumë se 9 plagë, dhe prapë të mos e kapërcejë dot listën e kryetarit.

Ndryshimi i vetëm është se, pasi të zgjidhen ata që ka caktuar partia, do të ketë edhe dy tabela emulacioni për secilën kategori, një për fituesit dhe një tjetër për humbësit. Për atë, që rreshtohet i pari tek humbësit, do të ndahen dekorata ose fleta lavdërimi. Ndërsa atij më të pavotuarit nga fituesit do t’i thyhet nota në sjellje, por deputet do të jetë prapë.

Puna është se ai, që ndan dekorata (Presidenti i Republikës), sot shkumbëzonte si asnjëherë tjetër dhe paralajmëronte pasoja të rënda, në rast se listat nuk hapen realisht. Ndërsa ata që caktojnë listat dhe pritet të ndeshen për jetë a vdekje më 25 prill ishin të qetë dhe të patrazuar nga komploti antikushtetues, që mori sot vulën finale në komisionin e ligjeve.

Njëri duke shëtitur rrugëve të Elbasanit, si për ditë vere, ndërsa tjetri duke premtuar për herën e 15-të në Tiranë se do të heqë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe hajde shpjegoje pastaj politikën e madhe në vendin e shqiponjave” shkruan ai në Facebook./ db/Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!