Kreu i Bindja Demokratike Astrit Patozi ka dalë kundër vendimit të qeverisë për të bllokuar lëvizjen pa makina në fundjavë nga tetori në mars.
Sipas Patozit kjo është e papranueshme dhe pa logjikë. Më poshtë komenti i Patozit në Facebook.
LUFTA NUK ËSHTË LOJË, O KOMANDANT!
Të më ndjejë komandanti i luftës, që vetëm tani e pashë paralajmërimin e tij se ne shqiptarët do t’i paskemi fundjavat pa makina deri në mars. Pastaj shohim e bëjmë, ndoshta e shtyjmë edhe gjithë pesëvjeçarin ashtu, po nuk u ankua njeri. Kështu i bie apo jo?
Është i njëjti person, që na ka folur gjoja me zemër në dorë pothuajse çdo ditë, se jo vetëm ai, por askush tjetër në botë nuk të thotë dot sot se kur do të largohet koronavirusi. Dhe pyetja është nga e mori vesh ky zotëria se do na duhet të ruhemi njësoj nga infeksioni edhe pas një viti?
Pandemia, larg qoftë, mund edhe të ashpërsohet, por ndoshta edhe mund të shuhet dalëngadalë, siç ka ndodhur edhe me sëmundje të tjera në të shkuarën.
Të gjithë njerëzit normalë në Shqipëri shpresojnë të ndodhë kjo e dyta dhe shenja të mira ka plot, ndonëse asgjë nuk është e sigurt.
Por kjo pasiguri nuk i jep askujt të drejtë që të shfrenojë fantazinë e të projektojë një skenar të errët, që nuk mbështetet në asnjë argument, dhe të na e plasë si pa të keq para syve.
Ndaj edhe Edi Rama duhet të bëjë një zgjedhje, pas kësaj. Ose të tregojë se nga e mësoi që ditë më të këqija na presin, se mbase na bind që të përgatitemi që tani për të jetuar si në rrethim për një kohë të gjatë.
Ose t’i tërheqë mbrapsht broçkullat me prognoza të zymta për të ardhmen e largët të botës, se nuk ia ka njeri borxh këtë stresin shtesë, pas gjithë këtij depresioni që ka shkaktuar deri tani pandemia dhe mbyllja për shkak të saj.
Le të qëndrojë deri tek parashikimet dy javë para, madje edhe aq i ka shumë, sepse edhe vendet më të fuqishme të botës i kanë shumë dinamike vendimet dhe masat për dominimin e pandemisë, madje edhe ato afatshkurtra. Dhe nuk ka ngelur që ta dijë më mirë dhe më përpara se të tjerët se çfarë do të ndodhë pas një viti me pandeminë e koronavirusit kryeministri i lodhur i Shqipërisë./abcnews.al