TIRANË- Pasuritë e vajzës dhe dhëndrit të Berishës do të vazhdojnë të mbeten të sekuestruara.
Gjykata e Lartë, por edhe Gjykata e Posaçme, në dy vendime të ndara, rrëzuan kërkesat e çiftit Malltezi për lirimin e 25 pronave dhe llogarive të bllokuara, në kuadër të procesit të dosjes “Partizani”.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Avokati i njohur Idajet Beqiri, i ftuar në “Ora e fundit” tha se pasuritë e tyre janë vënë me veprimtari korruptive dhe me pastrim parash. Ai theksoi se pasuritë e tyre duhen konfiskuar dhe t’i kthehen buxhetit të shtetit.
“Ato pasuri i kanë vënë jo me pasuri të ligjshme, jo me rrogat e tyre, sepse nuk mund të vihet ajo pasuri me rroga, por janë vënë në mënyrë korruptive.
Shqiptarët duan që këto pasuri, që i ke vënë me vjedhje, korrupsion dhe pastrim, t’i kthehen buxhetit të shtetit. SPAK i ka favorizuar me sa s’ka. 25 pasuri janë bllokuar. Ishin dhe dhjetë te tjera dhe SPAK nuk i futi në lista, dhe nuk ia çoi gjykatës. Asaj listës 25 pasuri duhet t’i shtohet edhe një 1 para. Janë 125 pasuri”, tha ai.
Sipas tij, Jamarbër Malltezi dhe bashkëshortja e saj Argita Berisha zotërojnë dy hektarë tokë me pemëtari në zonën e Priskës, në Tiranë.
Ai theksoi se SPAK duhet të hetojë të gjitha pasuritë e tyre. Sipas avokatit, Berisha dhe familjarëve të tij po i dalin vila në çdo vend të botës.
“Ja ku është Priska, dy hektarë pemëtari janë të Malltezit dhe të Argitës. Hetimet e SPAK duhet të shtrihen dhe tek njerëzit e tyre të afërt. Në çdo vend të botës po i dalin vila. Duhet të sekuestrohen vilat që janë jashtë dhe brenda Shqipërisë. Edhe protestuesit i paguan Berisha, Malltezi, dhe anëtarët e tjerë. Ata nuk dolën kot persona non grata në SHBA për korrupsion të lartë shtetëror”, theksoi ai./abcnews.al


