Samir Handanovic mbush 37 vjeç në korrik dhe Interi po mendon për pasuesin e tij. Kapiteni gëzon formë të mirë dhe do të jetë sërish titullar mes shtyllave, por drejtuesit e kampionëve të Italisë po mendojnë edhe për të ardhmen.
Një nga portierët që pëlqehet shumë është Juan Musso. 27-vjeçari italo-argjentinas, është pjesë e Udineses prej verës së vitit 2018. Në portën e ekipit friulan ka zhvilluar paraqitje fantastike, teksa ia ka dalë të debutojë edhe me Argjentinën.
Tek Interi e shohin si zëvendësuesin perfekt të “gardianit” slloven. Udinese, një klub që di të bëjë gjithmonë biznes të mirë me shitjen e lojtarëve, kërkon 20 milion euro për ta lënë të lirë një nga portierët më të mirë të Serie A. /abcnews.al