Pastruan para për “Cosa Nostra” në Shqipëri, dënohen bashkëpunëtorët e Rezart Taçit

schedule15:26 - 25 Prill, 2023

schedule 15:26 - 25 Prill, 2023

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dënuar me 14 vite burg dy bashkëpunëtorët e biznesmenit Rezart Taçi, Bledar Lilo e Artur Balla, që akuzohen se pastronin në Shqipëri miliona euro të organizatës mafioze italiane “Cosa Nostra”.

Gjykata e Posaçme dënoi me 11 vite burg Artur Ballën, kunatin e biznesmenit Taçi, por për shkak se procesi ndaj tij është zhvilluar me gjykim të shkurtuar përfitoi ulje të dënimit me një të tretën dhe u dënua përfundimisht me 7 vite e katër muaj burg.

Ndërsa për Lilon, gjykata vendosi dënimin me 10 vite burg, por edhe për të u aplikuargjykimi I shkurtuar dhe do të vuajë dënimin me 6 vite e 8 muaj burg. Çështja për biznesmenin Rezart Taçi, që është shpallur në kërkim ndërkombëtar është veçuar.

Vendimi i Gjykatës:

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtarë të palëve, vlerësoi në tërësi provat e administruara gjatë gjykimit në raport me parashikimet e ligjit procedural dhe material penal, Gjykata, bazuar në nenet 190, 379, 380, 389, 380 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 1/c, 28/4, 47-50, 55, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal,

VENDOSI:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Sadedin Balla për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh), në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
  2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Sadedin Balla, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
  3. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehur Artur Sadedin Balla dënohet me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
  4. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Artur Sadedin Balla i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 7 (shtatë) vite  e 4 (katër) muaj burgim.
  5. Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Artur Sadedin Balla do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve  të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
  6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 287, pg 1, shkronjat a), b), dh) në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim.
  7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, pg 2 i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
  8. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehura Bledar Bardhyl Lilo dënohet me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vite burgim.
  9. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 ( gjashtë) vite e 8 (tetë) muaj burgim.
  10. Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Bledar Bardhyl Lilo do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, shkronja a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
  11. Bazuar në nenin 190 pg 1, shkronjat a) dhe ç) të K.Pr.Penale dhe nenit 36, shkronja b) të Kodit Penal, lidhur me provat materiale të sekuestruara në kuadër të këtij procedimi disponohet si më poshtë:

11.1  Shuma monetare e sekuestruar prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e dyzet e një pikë pesëdhjetë) euro, ndodhur në llogarinë bankare me nr. AL969021128502810301775553537, llogari bankare ne emër të shtetasit Francesco Zummo pranë Alpha Bank sh.a, konfiskohet dhe kalon në favor të shtetit.

11.2 Sendet e sekuestruara (i) aparat telefoni i markës Iphone 11 pro max sekuestruar të pandehurit Artur Balla dhe (ii) aparat telefoni i markës Iphone 7 plus dhe aparat telefoni i markës Iphone A1897 sekuestruar të pandehurit Bledar Lilo, të qëndrojnë në fashikull për shkak të procedimit të ndarë.

  1. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake në masën 755,900 (shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind) lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
  2. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

U shpall në Tiranë sot më datë 25.04.2023.

 

GJYQTARE                                   GJYQTAR                                         GJYQTARE

ATALANTA ZEQIRAJ                        ERJON ÇELA                             RUDINA PALLOJ/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!