Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet ndaj një personi dhe familjares së tij, të cilët akuzohen për pastrim të produkteve që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale. Dosja është dërguar tashmë në gjykatë për shqyrtim.
Ky person është i hetuar më herët për vepra penale që lidhen me narkotikët. Organet e drejtësisë dyshojnë se ai ka përdorur të ardhura me origjinë kriminale për të krijuar pasuri dhe për të kryer investime në sektorë të ndryshëm ekonomikë.
Gjatë verifikimeve, hetuesit kanë analizuar edhe transaksione dhe pasuri të regjistruara në emër të familjares së tij. e cila po ashtu është marrë e pandehur në këtë procedim.
Për të dokumentuar rastin, janë mbledhur informacione nga banka, institucione shtetërore, organet tatimore dhe kadastra, ndërsa një ekspertizë financiare ka evidentuar diferenca të mëdha mes pasurisë së akumuluar dhe të ardhurave të deklaruara si të ligjshme.
Pas mbylljes së hetimeve, Prokuroria ka vendosur t’i dërgojë të dy të pandehurit për gjykim, ndërsa thekson se lufta kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimi i pasurive me burim kriminal mbeten ndër prioritetet kryesore të saj./abcnews.al



