Harta e dorëheqjeve të drejtuesve vendorë është zgjeruar këtë të martë.
Në Bashkinë Belsh, janë larguar një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokale, duke i hapur rrugë një faze të re, të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe përformancës.
Në Përrenjas tre administrator kanë dhënë dorëheqjen ndërsa drejtorët do ti nënshtrohen një vlerësimi të thelluar të punës së kryer deri më tani.
Dorëheqjet janë finalizuar edhe në Bashkinë e Gramshit, përkatësisht 9 administratorë, drejtorë dhe sekretari i përgjithshëm i bashkisë.
Përpara kryebashkiakut Kristjan Shkreli, dorëheqjen e kanë paraqitur tre nënkryetarët, pesë administratorët dhe të gjithë drejtorët në Bashkinë e Vaut të Dejës. Dorëheqjet e administratorëve janë konfirmuar edhe në Bashkinë e Selenicës.
Largime ka edhe në qarkun e Beratit. Kryetarët e njësive administrative në Polican dhe Kucovë janë dorëhequr ndërsa në Skrapar, kryebashkiaku Adriatik Mema thotë se nuk do të bëjë lëvizje pasi administratorët dhe drejtorët janë emëruar së fundmi.,
Sa i përket bashkive të jugut, të gjithë nënkryetarët, administratorët dhe drejtorët e Bashkisë Sarandë kanë paraqitur dorëheqjen. në Konispol nuk ka ende largime ndërsa burime thonë se ka patur një debat mes kryebashkiakut Dule dhe kreut të qeverisë lidhur me shkarkimet e mundshme.
Të hënën pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve të njësive administrative në bashkitë e mëdha. Në Fier, u larguan nga detyrat nënkryetaret, administratorët e njësive dhe drejtorët e bashkisë.
Në Durrës, dorëheqjen e dhanë administratorët e pesë njësive administrative së bashku me administratorët e gjashtë rajoneve. Po ashtu largimi pati edhe në Korçë, Elbasan, Librazhd dhe Shkodër. Pikërisht në dy qytetet e fundit, u hap këtë të martë edhe thirrja për aplikim në postet e lëna bosh. E këtu dera është e hapur jo vetëm për socialistët por edhe demokratët./abcnews.al