117 vjet më parë lindi problemi. Në një shtëpi të Gjirokastrës, jo larg atij që njihet si ‘Sokaku i të Marrëve’, lindi Enver Hoxha, njeriu që pa mbushur 35 vjeç, do kthehej në njeriun me të fuqishëm të Shqipërisë, që prej epokës së Ahmet Zogut.
I ftuar në ‘Real Story’, deputeti Erald Kapri tha se regjimi i Enver Hoxhës ka lënë pasoja të cilat ndihen edhe sot në shoqërinë shqiptare. Kapri tha se Enver Hoxha ishte diktatori përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve, për diktaturën më të egër dhe kjo nuk mund të ketë pikë diskutimi.
” Bënë një gafë të madhe se nuk mund të fusësh Enver Hoxhën në parlament. Se këtë çështje e ngrita unë i pari, ditën e premte ka ardhur email nga biblioteka e Kuvendit, instituti parlamentar, ku listonte figura historike të lindura në muajin tetor, sigurisht me idenë që deputetët mund t’i nderojnë mund të bëjnë diçka për ta. Dhe mes tyre ishte edhe emri i Enver Hoxhës. Unë e lexova atë, prita ndonjë reagim dhe pash që për disa ditë nuk po ndodhte asgjë. Ditën e dielë kam bërë unë një reply te të gjithë deputetët edhe administrata duke cilësuar atë një skandal dhe kërkova menjëherë që të tërhiqet ajo gjë. Më pas, e dimë si vajti vorbulla që shkoi deri në pranimin e gabimit nëse mund ta quajmë kështu nga Kryetari i Kuvendit, dhe një ndjesë. Tani, çfarë është e papranueshme, se themi figurë historike.
Ndaj Enver Hoxhës ka vetëm një qëndrim, nuk mund të ketë tjetër, ka të njëjtin qëndrim që mban çdo komb perëndimor ndaj diktatorëve të vet. Të njëjtin qëndrim që ka Gjermania ndaj Hitlerit, që mban Italia nda Musolinit, që mbajnë shumë vende të tjera të Lindjes ndaj diktatorëve komunistë. Nuk mund të flitet këtu me dy standarde. Enver Hoxha ka qenë figura që i ka sjellë dëmin më të madh kombit shqiptar në periudhën moderne.
Nuk ka pikë diskutimi për këtë gjë. Diskutimet e historianëve, mund të diskutojmë në shumë aspekte të jetës së tij politike, por qasja që ne duhet të kemi si shoqëri, si institucione është e qartë, kemi të bëjmë me një diktator gjakatar, që pasojat e tij ndihen ende sot, madje në mënyrë të hatashme. Ishte prokurori i përgjithshëm para disa ditësh në komision dhe unë e kam pyetur: e dini që ka mijëra e mijëra të zhdukur, që nuk u gjenden dot eshtrat të vrarët e komunizmit, dhe ende shteti shqiptar nuk ka bërë dot punën e vet që t’i gjejë dhe t’ia kthejë familjarëve, ja një pasojë. Sepse ka një ping pong institucionesh për këtë çështje. Pa llogaritur pasojat e tjera sepse edhe fakti sot që jemi një nga vendet më të korruptuara e të varfra të Evropës, dhe me demokraci më të mangët, prej diktaturës më të egër të Evropës ka nisur. Ndaj mësëpari të biem dakord me parimin.
Cili është parimi? Qasja jonë parimore ndaj Enver Hoxhës është kjo: ishte diktatori përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve, për diktaturën më të egër dhe kjo nuk mund të ketë pikë diskutimi. ”
/ abcnews.al /

