Pasojat e Brexit, Mbretëria e Bashkuar nis “lëngimin”

schedule21:59 - 30 Janar, 2018

schedule 21:59 - 30 Janar, 2018

Pasojat e daljes nga Bashkimi Europian për Britaninë kanë filluar të ndihen, ende pa u konkretizuar ajo. Mungesa e marrëveshjes me Brukselin ka futur në pasiguri tregun e brendshëm, duke i shkaktuar Mbretërisë deri në 10 miliardë paund humbje në vit.

Ekonomistë, bankierë dhe zyrtarë e kishin parashikuar dhe më në fund qeveria britanike duket se u ka dhënë të drejtë sa i takon perspektivës së ekonomisë pas daljes nga BE-ja. Së fundmi ka qenë vetë Downing Street që ka kryer një analizë mbi tregun e brendshëm, nga e cila ka dalë në përfundimin se Brexit do të kufizojë rritjen ekonomike mes kuotave 2 dhe 8 për qind në 15 vitet e ardhshme.

Një pjesë e analizës është publikuar në mediat lokale, por për qeverinë britanike nuk ka vend për panik. “Kjo ishte vetëm një punë paraprake, nuk është miratuar nga ministrat. Thjesht shqyrton skenarët e mundshëm”, ka deklaruar një zëdhënës i kryeministres Theresa May. Sipas tij, një analizë e mirëfilltë për efektet e daljes nga Unioni tek tregtia nuk është bërë. Sidoqoftë, për ekspertët ekzistojnë prova të mjaftueshme se referendumi i qershorit 2016 i ka shkaktuar Mbretërisë dhimbjet e para.

Tregues sipas tyre janë negociatat mes Londrës dhe Brukselit që kanë shkaktuar pasiguri tek bizneset, si dhe kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëdhënieve mes dy qendrave. Ekonomia britanike pati një performancë më të mirë se parashikimet në vitin 2017.

Ngritja e sinkronizuar globale e ndihmoi, por vendi nuk arriti të renditej mes 5 ekonomive më të larta, duke mbetur pas vendeve më të industrializuara. “Vendimi për t’u larguar nga BE ka dhënë një impakt të fortë ndaj perspektivës ekonomike. Pasiguritë që lidhen me Brexit po rëndojnë mbi aktivitetin ekonomik të brendshëm, që ka rënë, pavarësisht se ekonomitë e tjera po rriten”, deklaroi në nëntor Banka e Anglisë.

Ndërsa pak ditë më parë në Davos, guvernatori Mark Carney tha në një takim privat se Brexit i ka kushtuar tashmë Mbretërisë së Bashkuar rreth 10 miliardë paund në vit, ose 14 miliardë dollarë./abcnews.al