“Paske lidhje me Putinin?! Jepe, jepe përgjigjen”, Telushi e Kalari “show”

schedule18:21 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 18:21 - 17 Dhjetor, 2019

Humbja në derbi është harruar. Te Partizani tashmë kanë kohë edhe për batuta. Konferenca e sotshme për shtyp, ku u paraqitën trajneri Renaldo Kalari dhe mesfushori Bruno Telushi, u shoqërua me disa momente gazmore.

Në fund ishte protagonist Kalari, i cili do kishte dashur të përgjigjej pyetjes që iu bë Telushit nëse me të në fushë Partizani do e kishte fituar derbin. Vetë vlonjati tha: “Ndoshta dilte njëlloj ndeshja, ca gjëra janë edhe të shkruara. Po të isha unë, do jepja maksimumin tim. Mund ta kishim bëtë edhe më të lehtë ndeshjen, pasi e njoh derbin. Kjo është e gjitha”.

Me të përfunduar konferencën, Kalari iu drejtua vlonjatit: “Duhet ta kisha dhënë unë atë përgjigjen e fundit”. Telushi, me kuriozitet e pyet: “Cilën përgjigje?”. Tekniku i të kuqve shtoi: “Atë që a do e kishim humbur derbin (me Telushin në fushë)…”. Në ato momente pati të qeshura, ndërkohë që dëgjohet një thirrje për gazetarët: “Jepe, jepe, përgjigjen. Kthehuni edhe njëherë”.

BATUTAT PËR MESAZHIN – Të qeshurat në fakt kishin nisur që më parë, kur Kalari përfundoi deklaratën e tij. Si zakonisht, në tavolinë gazetarët kishin vendosur celularët e tyre për të regjistruar konferencën.

Telushi ka parë që në njërin prej tyre kishte mbërritur një mesazh. “Vladimiri të ka shkruar. Paske lidhje me Putinin”, thotë vlonjati, ndërkohë që gazetarët nuk i mbajnë të qeshurat. Më pas seriozitet, me Telushin të prerë në përgjigjet e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!