Autoritetet greke kanë bërë me dije se shoferi i Audi-t që kaloi pranë makinës së reperit grek, Mad Clip gjatë momentit të aksidentit nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Shoferi i makinës së bardhë është paraqitur vetë në polici pasi kjo e fundit ishte vënë në kërkim të tij. Ai ka dëshmuar se ishte në makinë me gruan e tij kur këngëtari iu afrua makinës së tij.
“Kur u ndez drita jeshile, pashë Porsche të zhvillonte shpejtësi të madhe. Kam mbajtur një distancë të sigurt dhe kam qëndruar prapa. Nuk e njihja shoferin e Porsche. rastësisht ishim në të njëjtën semafor.”, ka thënë ai. Reperi po kthehej nga dasma e mikut të tij të ngushtë kur humbi kontrollin e automjetit që po drejtonte dhe u përplas me një shtyllë.
Përplasja ishte aq e fortë saqë reperi u bllokua brenda mjetit dhe u deshën rreth dy orë që zjarrfikësit ta nxirrnin nga makina. Personazhe të famshëm kanë reaguar të trishtuar për ngjarjen tragjike të kolegut të tyre, mes së cilëve dhe shqiptarë.
Eleni Foureira këndoi bashkë me reperin hitin e tyre të verës në dasmën e mikut të përbashkët. Morena Taraku shprehu ngushëllimet për reperin, me të cilin kishte planifikuar një duet. Sin Boy dhe Stresi reaguan gjithashtu të prekur nga ngjarja e rëndë. /abcnews.al