Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksander Vulin ka reaguar pasi KRIK (Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsioni) raportoi për Zvonko Veselinoviçin dhe Milan Radojiciç si të përfshirë në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç në Mitrovicën e Veriut në janar të vitit 2018.
Vulin ka thënë se publikimi i dëshmisë nga KRIK të Boban Bogdanoviçit i cili rrëfen detaje të vrasjes së Oliver Ivanoviçit kanë për qëllim të ndikojnë në zgjedhjet e 3 prillit, shkruan Tanjug.
“Serbia është shtet serioz, s’mund të gënjehet. Publikimi i deklaratës së Bogadnoviç është përpjekje për të kriminalizuar Serbinë dhe për të ndikuar në zgjedhjet e 3 prillit. Një luftë mediale është duke u bërë ndaj vendit tonë me gënjeshtra veçanërisht ndaj presidentit Vuçiç dhe njerëzve të afërt me të”, ka thënë Vulin në një konferencë për media.
Mediat serbe raportuan dje se Oliver Ivanoviçi është vrarë me urdhër të Zvonko Veselinoviçit i mbështetur nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, të dy këta në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit.