“Pashë kiametin, më ‘plasi’ syri në dush”, historia e Dj shqiptar që mjekët s’i dhanë shpresë: M’u duk sikur rilinda

schedule08:51 - 30 Shtator, 2022

schedule 08:51 - 30 Shtator, 2022

Dj Xhino rrëfeu historinë frymëzuese teksa ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”. Gjatë intervistës me gazetarët në studio, ai tregoi se si mjekët nuk i kishin dhënë shpresë pas një problemi kishte pasur në sy, një gjendje që prek shumë pak persona në të gjithë botën.

Dj rrëfeu se një ditë në vitin 2012 pësoi një “shpërthim” në sy. Pas vizitës nga mjekët, Xhino, asokohe 18 vjeç, mësoi se kishte pësuar shkolitje të rutinës, një problem që kishte prekur 34 persona në botë. Ndonëse mjekët s’i dhanë shpresë, atij iu desh të shkonte në Rusi për të bërë një ndërhyrje.

“Atë ditë pashë kiametin, pashë të më shembej bota para syve sepse humba dritën e syrit. Nuk e kam kuptuar as vetë se si ndodhi kjo sepse mjekët më thanë se mund ta kesh pasur më para problemin. Më ndodhi një shpërthim në sy duke bërë dush dhe u ndjeva shumë keq.

Ishte një shkolitje e retinës që kishte ndodhur sepse nuk furnizohej me gjak. Ishte rasti i parë në Shqipëri në vitin 2012. Iu thashë prindërve që nuk shikoj në syrin e majtë. U qetësova, shkova në një klinikë të specializuar dhe pas kontrollit, më thonë zotëria, ‘më dëgjo situata është e keq’.

Ke humbur plotësisht syrin e majtë dhe është një diagnozë e rrezikshme që shumë pak persona ia kanë dalë. Më tha kudo që të shkosh nuk do të gjesh zgjidhje. Kur ika në Moskë, ishin 34 persona në të gjithë botën.”, tha Dj duke shtuar pas se iu desh të shkonte vetën në Rusi prej pamundësisë ekonomike.

Ai tha se pavarësisht gjithçkaje, besonte gjithmonë se do t’ja dilte.

“Ajo që më bëri përshtypje ishte se doktori ishe me një sy vetë. U venit shpresa që kisha. E humba besimin dhe u ndjeva shumë keq. Hapi vetëm një lupë, më tha ‘sa përqind beson te vetja se do t’ja dalësh’. I thashë ‘100 përqind’. Thashë kam ardhur me optimizëm sepse isha shumë pozitiv.”

Pas një operacioni katër orësh, ai mori lajmin e mirë se do të shihte sërish. “Ajo që më frikësoi në operacion se nuk e dija, unë kisha bërë apandesitin. Më tha do ta bëj me mpirje, do të jesh i vetëdijshëm. Thashë kaq e pata, dëgjoj përkthyesin duke më thënë se nuk ke provuar akoma supën e Rusisë.

Ia dola pas katër orësh. Ishte e tmerrshme dhimbja, sepse sado nuk e ndjeja kokën, më kishte vendosur kufje me muzikë dhe dëgjoja që bënin operacionin. Dita më emocionuese ishte e gjashta sepse hoqa fashën dhe doja të dija nëse shikoj.

Kur hoqi fashën doktori, aty m’u duk sikur kisha lindur dhe po shikoja botën për herë të parë. E përqafova fort dhe bëra gati t’i jap 50 dollarë si në Shqipëri. ‘Beson në Zot’ më tha. ‘Po’ i thashë. ‘Beso më shumë tha sepse të tjerët nuk ia dolën. Në 34 veta, vetëm unë dhe një arab ia dolëm. Të tjerëve iu hoq syri dhe u vu plastik”, tha Dj Xhino. /abcnews.al